Pse linja ajrore Turkish Airlines po ndryshon emrin e saj?!
Turkish Airlines është riemërtuar si Türkiye Hava Yolları, sipas presidentit Recep Tayyip Erdogan. Lëvizja është pjesë e përpjekjes së vendit për t’u njohur ndërkombëtarisht si “Türkiye”, e cila është mënyra se si emri i tij shkruhet dhe shqiptohet në turqisht. Emri shqiptohet tur-key-yay.
“Turkey nuk ekziston më. Është Türkiye”, tha Erdogan gjatë një ceremonie që shënonte nisjen e një sateliti të ri komunikimi. “Türkiye Hava Yolları do të jetë e shkruar në trupat e avionëve tanë në vend të Turkish Airlines.” Në turqisht, “Hava Yolları” përkthehet si linja ajrore.
Pse Türkiye ka ndryshuar emrin e saj?
Qeveria e Erdogan tha se emri “Türkiye” përfaqëson më mirë kulturën dhe vlerat turke, megjithëse disa vëzhgues kanë sugjeruar se masa është një përpjekje për të shkëputur vendin nga zogu, gjeldeti. Në një deklaratë të dhjetorit, qeveria turke tha se riemërtimi ishte për të “ruajtur dhe lavdëruar kulturën dhe vlerat e kombit tonë”.
Vendi e quajti veten Türkiye në 1923, pas shpalljes së pavarësisë. Në dhjetor 2021, Erdogan urdhëroi që fraza ‘Made in Türkiye’ të shfaqet në eksportet turke.
Sektori i turizmit ka qenë në krye të riemërimit. Në fillim të këtij viti, qeveria turke publikoi një video promovuese që përshkruan turistët nga e gjithë bota duke thënë “Hello Türkiye” në destinacione të famshme. Ngadalë por me siguri, edhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë bërë ndryshim. OKB-ja dhe NATO-ja zyrtarisht filluan të përdorin “Türkiye” në vend të “Turkey” këtë vit.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, iu referua vendit si “Türkiye” gjatë vizitave në Helsinki dhe Stokholm këtë javë, ashtu si presidenti finlandez Sauli Niinisto dhe kryeministrja suedeze Magdalena Andersson.
Të dy vendet po përpiqen të kapërcejnë një kundërshtim turk ndaj ofertës së tyre për t’u bashkuar me aleancën ushtarake. Si një aleat i NATO-s, Ankaraja ka fuqinë të bllokojë ofertat e anëtarësimit të tyre. Vendi akuzon dy vendet nordike për mbështetjen e grupeve militante kurde.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.