Qeveria blen serverë të rinj për Tatimet – Sistemi i fiskalizimit rrezikon të ezaurojë kapacitetet brenda 2022

Duke nisur nga viti i ardhshëm, bizneset në Shqipëri parashikohet të gjenerojë rreth 630 milionë fatura. E brenda 5 vitesh, parashikohet flasin për një shifër prej 850 milionë faturash.
Kjo, nuk ishte parashikuar në momentin që u ndërtua sistemi i ri i fiskalizimit që duket se me kapacitetet aktuale rrezikon të dalë jashtë funksionit brenda këtij viti për shkak të mungesës së kapaciteteve.
Të paktën kështu rezulton në dokumentet e një tenderi të shpallur në Agjencinë e Prokurimeve Publike nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. Tenderi me fond limit rreth 377.9 milionë lekë parashikon rritjen e kapaciteteve hardware për sistemin e fiskalizimit-për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
“Nisur nga rritja e madhe e numrit të faturave, kapaciteti i ruajtjes do të mbushet brenda vitit 2022. Rritja e numrit të faturave gjithashtu do të kërkonte më shumë fuqi përpunuese dhe për këtë arsye është i detyrueshëm shtimi i dy Serverëve të Bazës së të Dhënave Exadata për secilën makinë Exadata.
Duke iu referuar tendencës aktuale të rritjes dhe vlerësimit për 5 vitet e ardhshme, infrastruktura aktuale e bazës së të dhënave ‘Oracle Exadata’ nuk mjafton për të mbështetur këtë tendencë në rritje. Për këto arsye rekomandohet që infrastruktura e bazës së të dhënave Oracle Exadata dhe infrastruktura e ruajtjes së jashtme për kopjet rezervë dhe skedarët duhet të përmirësohen për sa i përket kapacitetit të ruajtjes” shkruhet në dokumentet e tenderit.
Sistemi i ri i fiskalizimit u aplikua në fillim të vitit 2021. Me këtë ndërhyrje, qeveria ndryshoi sistemin e kasave fiskale që ishin në funksion që prej vitit 2009, përmes një procesi që mundësonte raportimin në kohë reale të çdo transaksioni.
Nga fillimi i procesit deri me fund të muajit të kaluar, në proces janë regjistruar 108 mijë tatimpagues ndërsa numri I faturave të lëshuara llogaritet në 407 milionë të tilla.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.