Rritet deficiti tregtar i Kosovës – Arrin në 402,3 milionë euro për tetorin. Mbi 40% e tregtisë kryhet me vendet e BE
Deficiti tregtar i Kosovës ka regjistruar një rritje të konsiderueshme në muajin tetor. Të dhënat më të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se deficiti tregtar i vendit u rrit me 13% në bazë vjetore duke arritur në 402,3 milionë euro. Eksporti mbulon importin me 17.7%.
Eksporti i mallrave në muajin tetor 2022 kishte vlerën 86.4 milionë euro, ndërsa importi 488.7 milionë euro, duke regjistruar një rritje prej 19.1% për eksportin dhe 14.1% për importin krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 20.7% e përbëjnë produktet minerale; 18.5% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 14.9% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.8% e përbëjnë produktet minerale; 11.8% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.3% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.2% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 37.7 milionë euro, ose rreth 43.7% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 65.5%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin Sllovenia (14.1%), Gjermania (10.1%), Italia (5.4%), Holanda (3.3%).
Ndërkaq, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 203.3 milionë euro, ose 41.6% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 15.7%. Partnerët kryesorë për importe ishin Gjermania (10.6%), Greqia (4.8%), Italia (4.7%), Belgjika (4.0%).
Në muajin tetor 2022, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 28.5 milion Euro, ose 33.1% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 18.4%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin: Maqedonia e Veriut (12.9%), Shqipëria (8.7%), Serbia (6.4) dhe Mali i Zi (4.0%).
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin tetor 2022, arritën në 83.2 milion Euro, ose 17.0% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej 7.9%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (7.0%), Shqipëria (4.4%), dhe Maqedonia e Veriut (4%).
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.