Rritje rekord e prodhimit të mishit të pulës – Shifra e paprecedentë 807.8%! Një mrekulli në zhvillimin e bujqësisë
Sipas raportit të analistit statistikor Dr. Hans-Wilhelm Vindhorst, në 50 vitet e fundit është dokumentuar një dinamikë e jashtëzakonshme e prodhimit të mishit të shpendëve.
Prodhimi u rrit tetëfish për të arritur një vëllim prej afro 122 milionë ton në vitin 2020. Mishi i shpendëve ishte deri tani produkti shtazor me rritjen më të shpejtë. Kjo dinamikë është kryesisht rezultat i rritjes së ndjeshme të prodhimit të mishit të pulës, i cili përbën mes 85% dhe gati 88% të vëllimit të përgjithshëm të prodhimit. Sipas përfundimeve të autorit, kjo rritje paraqet një ‘mrekulli’ të vërtetë në zhvillimin e bujqësisë.
Ndërmjet viteve 1970 dhe 2020, prodhimi global i mishit të shpendëve u rrit nga 15.1 milionë në 137 milionë ton, ose 807.8 %. Ky ishte produkti shtazor me rritjen më të shpejtë gjatë kësaj periudhe. Ndërmjet viteve 2000 dhe 2020, vëllimi i prodhimit u rrit me mbi 68 milionë ton.
Sipas të dhënave të vitit 2020, pozicionin kryesor në prodhimin e mishit të pulës e mbajnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, Kina përgjithësisht dominon prodhimin e mishit të shpendëve. Në këtë lloj prodhimi kontribuojnë shumë edhe Brazili, Rusia, India dhe Indonezia.
Të dhënat e prodhimit për mishin e gjelit të detit, rosës dhe patës ndryshonin ndjeshëm nga mishi i pulës. Mishi i gjelit të detit prodhohej kryesisht në Amerikën e Veriut dhe Europë, dhe mishi i rosës dhe patës kryesisht në Azi.
Sa i përket zhvillimit të prodhimit në shkallë kontinentale, Azia ka luajtur një rol kyç. Azia kontribuoi me 41.6 % të rritjes së prodhimit, e ndjekur nga Amerika Qendrore dhe Jugore me 16.8%, Amerika e Veriut 16% dhe Europa 14%. Afrika dhe Oqeania kanë mbetur prapa, ndërsa Amerika Qendrore e Jugore dhe Azia kanë pasur rritjen relative më të madhe.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.