Sa mund të zgjasë emergjenca e e-Albania? – Rikthehen shërbimet publike me sportele fizike
Emergjenca e krijuar në ofrimin e shërbimeve publike pas mbylljes së portalit unik qeveritar, E-Albania ka detyruar Ministrinë e Brendshme që të rihapë sportelet për disa shërbime të domosdoshme.
Ministria e Brendshme njofton se vetëm shërbimet esenciale të Policisë së Shtetit dhe Gjendjes Civile do të ofrohen fizikisht pranë sporteleve përkatëse për qytetarët deri në përfundim të sulmit kibernetik.
“Shërbimet qeveritare online janë një histori suksesi në Shqipëri pavarësisht ngërçit momental të krijuar prej sulmit kibernetik. Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për vështirësitë e krijuara”, njofton ministria e Brendshme.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka reaguar duke deklaruar se “kundërofensiva e AKSHit dhe aleatëve në përballjen e agresionit kibernetik mbi Shqipërinë,po rezulton e qëndrueshme dhe e suksesshme!
Kryeministri bën me dije se agresori nuk ka arritur të shembë sistemin e mbrojtjes dhe është në tërheqje!
“Nëse s’do kemi surpriza të tjera,shërbimet do rikthehen shumë shpejt!” deklaron kryeministri.
Burime nga ekipet e ekspertëve bëjnë me dije se për të arritur në ofrimin e plotë të shërbimeve do të nevojten se paku 7 deri në 12 ditë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.