Analiza Postuar më 28 Korrik 2026, 11:42

Kampingjet, sezoni nis me sinjale pozitive/ Vizitorët janë në rritje, ndërsa çmimet mbeten më konkurrueset në rajon

Nga Eldiona Serani

Kampingjet, sezoni nis me sinjale pozitive/ Vizitorët janë në

Shqipëria po konsolidon gjithnjë e më shumë pozicionin e saj si një nga destinacionet më të favorshme për turizmin me kamping, falë kostove të ulëta, natyrës së larmishme dhe interesit në rritje nga turistët vendas dhe të huaj. Nga bregdeti i Jonit dhe Adriatikut deri te zonat malore, kampingjet po shndërrohen në një alternativë gjithnjë e më të preferuar për pushuesit që kërkojnë një eksperiencë më pranë natyrës dhe me kosto të përballueshme.Vitet e fundit, krahas rritjes së numrit të turistëve që vizitojnë Shqipërinë, është shtuar edhe numri i personave që zgjedhin kampingjet dhe format e ngjashme të akomodimit.

Edhe viti 2025 u mbyll me rezultate pozitive për këtë sektor, ku numri i vizitorëve në kampingje shënoi rritje të ndjeshme, veçanërisht gjatë sezonit veror. Por si ka nisur viti 2026?

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, deri në muajin maj strukturat akomoduese të kategorisë "kampingje, rulot, tenda dhe akomodime të ngjashme" kanë regjistruar një ecuri më të mirë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja është bërë më e dukshme gjatë muajit maj, duke sinjalizuar një sezon veror me pritshmëri pozitive.

Statistikat tregojnë se gjatë muajit maj numri i vizitorëve rezidentë arriti në rreth 267 persona, nga 123 që ishte në të njëjtin muaj të vitit 2025, duke shënuar më shumë se dyfishim. Ndërkohë, vizitorët jorezidentë u rritën lehtë, duke arritur në afro 4,900 persona, krahasuar me rreth 4,800 një vit më parë. Edhe pse rritja e turistëve të huaj është më e moderuar, numri mbetet i lartë dhe krijon pritshmëri që fluksi të shtohet ndjeshëm gjatë muajve të verës, kur kampingjet arrijnë zakonisht kapacitetet më të larta të shfrytëzimit.

Avantazhi më i madh i Shqipërisë mbetet çmimi konkurrues. Sipas të dhënave të publikuara nga revista ndërkombëtare Camping.Info, Shqipëria renditet si destinacioni me tarifën më të ulët për kamping në rajon. Mesatarisht, një natë qëndrimi në një kamping shqiptar kushton rreth 14.18 euro, çmim dukshëm më i ulët se në vendet fqinje. Në Serbi, një natë kamping kushton mesatarisht 20.69 euro, në Bosnje -Hercegovinë rreth 18.60 euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut rreth 17.90 euro.

Ky diferencim i çmimeve e bën Shqipërinë një zgjedhje gjithnjë e më tërheqëse për turistët që kërkojnë pushime ekonomike pa hequr dorë nga bukuritë natyrore.

Kampingjet, sezoni nis me sinjale pozitive/ Vizitorët janë në

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat