Shpenzimet për NATO-n, në 3% të PBB – Propozimi i presidentit polak për homologun e tij të SHBA
Presidenti i Polonisë do të propozojë gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara që vendet anëtare të NATO-s të shpenzojnë 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen. Pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022 e ka bërë mbrojtjen një prioritet kryesor për anëtarët e krahut lindor të NATO-s dhe Polonia po shpenzon rreth 4% të PBB-së për të rritur forcat e saj të armatosura këtë vit.
“Mendoj se vendet anëtare të NATO-s duhet të vendosin së bashku që të shpenzojnë jo 2%, por 3% të PBB-së për mbrojtjen dhe se ky do të jetë një kufi nën të cilin absolutisht nuk rekomandohet të shkohet”, deklaroi Andrzej Duda. Ai shtoi se përgjigja e NATO-s ndaj Rusisë pas shpërthimit të luftës në Ukrainë duhet të jetë “e qartë dhe e guximshme”.
Polonia, me vendndodhje strategjike dhe vendi i pestë më i madh i Bashkimit Evropian për sa i përket popullsisë dhe sipërfaqes, me një prodhim të brendshëm bruto prej 690 miliardë dollarësh, është një nga anëtarët më të përkushtuar të NATO-s. Shpenzimet vjetore të mbrojtjes të këtij vendi kanë arritur një nivel rekord të lartë brenda NATO-s duke qenë gati 4 përqind e PBB-së.
Presidenti polak Duda dhe kryeministri Donald Tusk do të vizitojnë Shtëpinë e Bardhë të martën me rastin e 25-vjetorit të anëtarësimit të Polonisë në NATO.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.