Shifrat e luftës që shkaktojnë ankth! – Rusia gati të prodhojë 3 herë më shumë municione sesa SHBA dhe Evropa
Rusia duket në rrugën e duhur për të prodhuar gati tre herë më shumë municion artilerie sesa SHBA dhe Evropa, një avantazh kyç përpara asaj që pritet të jetë një tjetër ofensivë ruse në Ukrainë gjatë këtij viti. Rusia prodhon rreth 250,000 fishekë dhe predha artilerie në muaj, ose rreth 3 milionë në vit, sipas vlerësimeve të inteligjencës së NATO-s.
Ushtria amerikane ka vendosur një objektiv për të prodhuar 100,000 predha artilerie në muaj deri në fund të vitit 2025, më pak se gjysma e prodhimit mujor të Rusisë, dhe madje ky numër tani është i paarritshëm me fondin 60 miliardë dollarë financime për Ukrainën që pret miratimin e Kongresit.
Zyrtarët thonë se Rusia gjuan rreth 10,000 predha në ditë, krahasuar me vetëm 2,000 në ditë nga pala ukrainase. Raporti është më i keq në disa vende përgjatë frontit.
Mungesa vjen ndoshta në momentin më të rrezikshëm për përpjekjet luftarake të Ukrainës që kur Rusia nisi agresionin udhtarak në shkurt të vitit 2022. Paratë e SHBA-së për të armatosur Ukrainën kanë mbaruar dhe opozita republikane në Kongres ka vendosur veton për financime të reja.
Rusia operon në fabrikat e artilerisë 24 orë në 7 ditë të javës në turne të alternuara 12-orëshe, tha një zyrtar i NATO-s. Rreth 3.5 milionë rusë punojnë tani në sektorin e mbrojtjes, nga 2 në 2.5 milionë para luftës. Rusia gjithashtu importon municione: Irani dërgoi të paktën 300,000 predha artilerie vitin e kaluar, “ndoshta edhe më shumë se kaq”, tha zyrtari, dhe Koreja e Veriut siguroi të paktën 6,700 kontejnerë municioni që mbanin miliona predha.
Rusia kohët e fundit ka vënë në shënjestër gjithashtu prodhimin Ukrainas të mbrojtjes me armët e saj me rreze të gjatë.
Sipas zyrtarit të lartë të NATO-s, Rusia prodhon 115 deri në 130 raketa me rreze të gjatë dhe 300 deri në 350 dronë sulmues me një drejtim, bazuar në një model iranian të furnizuar nga Teherani çdo muaj. Edhe pse para luftës Rusia kishte një rezervë me mijëra raketa me rreze të gjatë veprimi në arsenalin e saj, sot ajo është rreth 700, tha zyrtari.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.