Pagat e shqiptarëve rriten me 13.7 % – Cilat profesione paguhen më shumë në vend?
Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të katërt 2023, regjistrohet në 75.025 lekë, duke u rritur me 13,7 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Aktivitetet ekonomike që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto, më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit dhe Informacioni dhe Komunikacioni.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022, paga mesatare bruto për grup- aktivitetin e Administratës publike dhe mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale, ka rritjen më të madhe prej 16,2 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit prej 4,5 %.
E ndarë sipas profersioneve, grup-profesionet e “Manaxherëve, Ligjvënësve, Nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë” dhe “Specialistë me arsim të lartë (profesionistë)”, ofrojnë pagat mesatare mujore bruto më të larta, krahasuar me pagën mesatare në nivel kombëtare.
Fundivit i kaluar është mbyllur me ndryshime edhe sa i takon tregut të punës. Në tremujorin e katërt 2023, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç regjistrohet në 66,7 %, duke u rritur me 0,2 pikë përqindje, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Nga ana tjetër shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 10,7 %. Numri i të papunëve gjithsej është ulur me 1,2 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, ndërsa shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është rritur me 0,4% më shumë.
Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2023, 16,1 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune (15- 64 vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 9,2 % e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 12,6 % në paaftësi të përhershme. 4,6 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.