Inaugurohen edhe 2 objekte të tjera arsimore në kontekstin e “EU4Schools”!
Në shkollën 9-vjeçare “Eftali Koçi”, “EU4Schools” jo vetëm ka rindërtuar por edhe ka ndihmuar njëkohësisht në ruajtjen e trashëgimisë kulturore për brezat e ardhshëm. Pas punimeve fillestare për shembjen e shkollës, dolën në dritë gjurmë të rëndësishme arkeologjike dhe nga sondazhet e para këto zbulime nxitën gërmime në shkallë të gjerë duke evidentuar thesare të fshehura nën tokë.
Në ceremonitë e inaugurimit morën pjesë Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato; Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD-it në Shqipëri, Monica Merino; Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu; Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako; përfaqësues të autoriteteve vendore, nxënës, mësues etj.
“Eftali Koçi” dhe Çerdhja Nr. 2 janë dy prej 18 objekteve arsimore në Durrës, pjesë e Programit “EU4Schools” me afërsisht 7,000 fëmijë e nxënës, 400 mësues dhe 600,000 banorë të komunitetit si përfitues të drejtpërdrejtë.
- Shkolla 9-vjeçare dhe kopshti “Eftali Koçi” – e rindërtuar nga e para dhe me përfitues 542 nxënës, 40 fëmijë, 36 mësues dhe 53 mijë banorë të komunitetit;
- Çerdhja Nr. 2 – e riparuar plotësisht dhe me përfitues 120 fëmijë, 17 staf mësimor dhe 7 mijë banorë të komunitetit.
#EU4Schools financohet nga Bashkimi Europian me një vlerë prej 75 milionë Euro dhe zbatohet nga UNDP Albania në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare. Projekti synon rindërtimin ose riparimin e mbi 60 objekteve arsimore në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit, 2019-të, me përfitues të drejtpërdrejtë 25,000 nxënës, mësues dhe fëmijë. Deri më tani në kontekstin e këtij programi kanë përfunduar 52 objekte arsimore, ndërsa 10 objekte të tjera janë në proces rindërtimi apo riparimi.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.