Si Gjermania po kërkon të bëhet prodhuesi kryesor i çipave në Europë?!

Nga përdorimi në makinat elektrike dhe telefonat inteligjentë te turbinat me erë dhe madje edhe raketat, çipat elektronikë apo gjysmëpërçuesit, janë “vaji i shekullit të 21-të”, komponentë nga të cilët “varet gjithçka tjetër”.
Këto ishin fjalët e kancelarit gjerman Olaf Scholz në inaugurimin e një fabrike të re të ndërtuar nga prodhuesi gjerman i gjysmëpërçuesve Infineon në fillim të këtij muaji. Në një udhëtim në Seul fundjavën e kaluar, ai foli përsëri me homologët e tij koreanë për gjysmëpërçuesit, duke i bërë thirrje Koresë së Jugut të investojë në Europë për të forcuar zinxhirët e furnizimit.
Objektivi i deklaruar i Bashkimit Europian është të arrijë 20 % të tregut botëror deri në vitin 2030, dy herë më shumë se pjesa e tij sot. Për të arritur këtë objektiv, do të kërkohet një rritje katërfish e prodhimit në Kontinentin e Vjetër. Ky është qëllimi i “Aktit të çipave” europian, i cili u përfundua nga ligjvënësit e BE-së në prill, i cili planifikon të mobilizojë 43 miliardë euro në investime publike dhe private.
Si ekonomia më e madhe e Evropës, Gjermania po drejton këtë lëvizje për të reduktuar varësinë nga Azia? Përveç fabrikës së re të Infineon në Dresden – një projekt prej 5 miliardë eurosh – grupet amerikane Intel dhe Wolfspeed kanë paralajmëruar investime të mëdha në Gjermani muajt e fundit.
Do të ishte një fitore e madhe për Gjermaninë nëse do të fitonte fabrikën e parë europiane të grupit tajvanez TSMC – një nga prodhuesit më të mëdhenj të çipave në botë. Diskutimet kanë qenë duke u zhvilluar për më shumë se një vit për një fabrikë në rajonin e Dresdenit, qendra kryesore e mikroelektronikës në Europë, e quajtur tashmë “Saksonia e Silikonit”. Sipas TSMC, një vendim pritet në gusht.
Por rreth 200 km larg në rajonin e Magdeburgut, euforia e krijuar vitin e kaluar nga njoftimi i një investimi prej 17 miliardë eurosh nga gjigandi amerikan Intel, i ka lënë vendin dyshimeve. Ndërtimi i fabrikës, e cila do të fillonte në gjysmën e parë të vitit 2023, nuk ka filluar.
“Shumë gjëra kanë ndryshuar” brenda një viti, pranoi grupi në një deklaratë për AFP, i cili pësoi një humbje rekord në tremujorin e parë të vitit për shkak të një rënie të mprehtë në shitjet e kompjuterëve personalë dhe smartfonëve. Përveç “sfidave gjeopolitike”, “ndërprerjet në ekonominë globale kanë çuar në rritje të kostove, nga materialet e ndërtimit te energjia”, tha grupi.
Ndihma publike shtesë është parashikuar për të “plotësuar boshllëkun e kostos së projektit të planifikuar, i cili është rritur ndjeshëm,” pranoi Ministria Gjermane e Ekonomisë. Kjo garë për subvencione nuk u shkon mirë shumë gjermanëve.
Ndërsa ndihma publike për Dresdenin dhe Magdeburgun do të shkojë në miliarda, Gjermania dhe Europa do të mbeten kryesisht të varura nga çipat e prodhuar jashtë kontinentit. Nëse varësitë mund të reduktohen, nuk do të ketë “vetëmjaftueshmëri për asnjë vend apo rajon” në gjysmëpërçuesit, paralajmëroi gjithashtu këtë muaj CEO i Infineon, Jochen Hanebeck.
Përkundrazi, disa profesionistë besojnë se ndihma duhet të jetë edhe më masive. Tajvani (ku prodhohen 90 % e çipave më të avancuar në botë), Koreja e Jugut dhe gjithnjë e më shumë Kina, aktualisht dominojnë tregun.
Europa përballet edhe me konkurrencën e SHBA-së, e cila po shpenzon shuma të konsiderueshme për të nxitur prodhimin vendas. Një sfidë tjetër e madhe për Gjermaninë do të jetë gjetja e punëtorëve të mjaftueshëm. Sipas një studimi të kryer në dhjetor nga Instituti Ekonomik Gjerman, aktualisht ka një mungesë prej 62,000 punëtorësh të kualifikuar në profesione të ndryshme në industrinë e çipave.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.