Si po financon Rusia luftën në Ukrainë? – Skenarët aktualë dhe pritshmëritë për vitin e ardhshëm
Vëllimi tregtar i Rusisë është rritur këtë vit, pavarësisht luftës në Ukrainë dhe sanksioneve të vendosura ndaj Moskës pas pushtimit rus. Shumë vende u zotuan të ndërpresin lidhjet ekonomike me Rusinë dhe vendosën sanksione ekonomike që synojnë të gjymtojnë ekonominë ruse. Megjithatë, si një nga prodhuesit më të rëndësishëm ndërkombëtarë të naftës, gazit natyror dhe lëndëve të para, Rusia ka pasur partneritete të gjata dhe fitimprurëse tregtare që nuk janë të lehta për t’u zhbërë.
Në vitin 2020, Rusia importoi produkte me vlerë 220 miliardë dollarë nga pjesa tjetër e botës, duke përfshirë makina dhe pjesë makinash, ilaçe dhe kompjuterë, kryesisht nga Kina, Gjermania, Koreja, etj.
Vëllimi i importeve në Rusi ka rënë për shkak të sanksioneve. Megjithatë, disa vende, duke përfshirë Kinën dhe Turqinë, i kanë thelluar marrëdhëniet e tyre me Rusinë që nga fillimi i luftës. Fillimi i të jetuarit pa lëndë të para ruse ishte i vështirë për shumë vende. Eksportet e Rusisë para luftës ishin në pjesën më të madhe, më shumë se 2/3, naftë, gaz natyror, metale dhe minerale. Megjithatë, vlera e eksporteve ruse u rrit pas pushtimit të Ukrainës, madje edhe në vendet pjesëmarrëse në sanksionet kundër Moskës.
Të dhënat e “Observatorit të Kompleksitetit Ekonomik” tregojnë se aftësia e Rusisë për të tregtuar me pjesën tjetër të botës mund të kufizohet më tej në muajt e ardhshëm, pasi Perëndimi vendos kufizime të reja.
Megjithatë, deri më tani, të dhënat tregojnë se sa e ndërthurur është Rusia me ekonominë globale, duke lejuar Moskën të sigurojë shuma të konsiderueshme parash ndërsa hyn në muajin e saj të nëntë të luftës. Përpjekjet perëndimore për të përdorur sanksione dhe masa të tjera për të gjymtuar ekonominë e Rusisë kanë pasur rezultate të kufizuara deri më tani.
Ndërsa lufta zgjatet, flukset dhe rrugët tregtare ndërkombëtare ndryshojnë. Shumë vende që mbështeten në grurin dhe produkte të tjera të kultivuara jashtë kufijve të tyre tani po përjetojnë mungesë ushqimi. Në të njëjtën kohë, çmimet e karburanteve janë rritur dhe lidhjet historike ekonomike të Rusisë me Europën po shpërbëhen gradualisht dhe po krijohen aleanca të reja.
Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë vendosur sanksione të ashpra ekonomike ndaj Rusisë, me kufizime ndaj biznesmenëve të pasur dhe zyrtarëve të qeverisë duke e shkëputur vendin nga sistemi financiar ndërkombëtar. Ata gjithashtu janë zotuar të ndalojnë dërgimin e produkteve dhe materialeve apo komponentëve të teknologjisë së avancuar në Rusi dhe kanë ndaluar linjat ajrore ruse të fluturojnë në Perëndim.
Fakti që kompanitë shumëkombëshe vendosën të ndalonin operacionet e tyre në Rusi pati gjithashtu një ndikim të rëndësishëm. Anijet që transportojnë kontejnerë me mallra të huaja nuk po mbërrijnë më në portin e Shën Petersburgut, ndërkohë që inflacioni dhe pasiguria ekonomike po bëjnë që konsumatorët rusë të shkurtojnë produktet që janë ende në raftet e dyqaneve.
Megjithatë, sanksionet mbi energjinë ruse kanë qenë të ngadalta për të hyrë në fuqi. Shtetet e Bashkuara tashmë kanë ndërprerë blerjet e naftës ruse. Britania e Madhe do të ketë bërë të njëjtën gjë deri në fund të vitit. Por, asnjë nga këto dy vende nuk ishte blerës i madh i naftës ruse përpara pushtimit.
Bashkimi Europian, shumë i varur nga energjia ruse, ka qenë i ngadaltë për të vepruar. Europa ndaloi importin e qymyrit rus në gusht, si dhe do të ndalojë të gjitha importet e naftës që vijnë nga deti nga Rusia në dhjetor dhe të gjitha importet e produkteve të naftës në shkurt. Rusia, nga ana tjetër, ka ndaluar disa nga eksportet e saj të produkteve bujqësore dhe mjekësore.
Nafta dhe gazi natyror janë deri tani eksportet më të rëndësishme të Rusisë dhe një burim kryesor i financimit të qeverisë. Çmimi i lartë i naftës dhe gazit natyror gjatë vitit të kaluar ka rritur vlerën e eksporteve ruse, gjë që ka ndihmuar Moskën të kompensojë të ardhurat e humbura për shkak të sanksioneve. Gazprom në pronësi shtetërore shënoi fitime rekord në gjysmën e parë të këtij viti, edhe pse dërgesat në Europë filluan të bien.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rishikuar vazhdimisht këtë vit parashikimet e tij për ekonominë ruse, duke thënë se ajo do të tkurret, por më pak se sa pritej. Konkretisht, FMN tha në tetor se pret që ekonomia ruse të tkurret me 3.4% këtë vit. Korrikun e kaluar, megjithatë, parashikimi fliste për 6% dhe prillin e kaluar për 8.5%.
Ndalimet që europianët do të vendosin në muajt e ardhshëm mund të çojnë në humbje të konsiderueshme për Rusinë. Megjithatë, nafta që largohet nga Rusia me anije ka të ngjarë të gjejë rrugën e saj drejt tregjeve të tjera të reja. Që nga pushtimi i Ukrainës, India dhe Kina kanë filluar të blejnë sasi më të mëdha të naftës së papërpunuar ruse.
Nga ana tjetër, vendet që dikur i shisnin naftë Indisë dhe Kinës, si Arabia Saudite , Iraku, apo Angola, tani mund të fillojnë të shesin më shumë naftë në Europë. Ajo që mbetet e paqartë tani për tani është se sa para’ do të marrë në fund Rusia nga shitja e naftës në këtë panoramë të rë marrëveshjesh energjetike të riformuara .
Ndërsa kërkesa për hidrokarburet ruse ka rënë, Moska tani është e detyruar të shesë naftën e saj në Indi dhe Kinë me çmime më të ulëta. Në të njëjtën kohë, vendet perëndimore po përpiqen të vendosin një kufi çmimi që do të kufizojë më tej të ardhurat e Moskës nga çdo fuçi nafte e shitur. Aktualisht, çmimet më të larta të energjisë kanë kompensuar humbjet e Moskës nga efektet e lartpërmendura. Çmimet në bursat ndërkombëtare kanë rënë në muajt e fundit. Por, me çmimet e energjisë të rritura për pjesën më të madhe të këtij viti, Rusia mori më shumë para’ nga shitjet e naftës dhe gazit nga marsi në korrik sesa në vitet e mëparshme, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.
Në terma afatgjatë, perspektiva për gazin natyror rus duket më e errët. Ndryshe nga nafta ruse, e cila eksportohet me cisterna, pjesa më e madhe e gazit natyror të Rusisë largohet nga vendi përmes tubacioneve që kërkojnë vite për t’u ndërtuar, duke e bërë të vështirë për Moskën hyrjen në tregje të reja.
Gjermania kishte ulur deri në korrik me 50% sasinë e gazit natyror që importonte nga Rusia, në vend të kësaj importonte sasi më të mëdha nga Norvegjia dhe Shtetet e Bashkuara. Më pas, në shtator, tubacionet kryesore, Nord Stream, që transportonin gaz natyror nga Rusia në Gjermani, u dëmtuan nga shpërthimet.
Rusia tani po përpiqet të gjejë blerës të tjerë për gazin natyror. Eksportet e saj në Kinë janë rritur, por ka vetëm një tubacion për në Kinë që mund të transportojë vetëm një pjesë të volumit të tubacioneve ruse në Europë. Për të transportuar gazin natyror me anije në anën tjetër, Rusisë do t’i duhet të ndërtojë objekte të reja të lëngëzimit të gazit natyror, por ky proces është i shtrenjtë dhe kërkon kohë.
Përndryshe, Rusia vazhdon të jetë një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të një game të gjerë mallrash: drithëra, plehra, reaktorë bërthamorë, azbest etj. Prodhuesit e automjeteve duan paladium dhe rodium nga Rusia për të prodhuar katalizatorë. Uzinat bërthamore franceze duan uraniumin rus dhe Belgjika vazhdon të luajë një rol kyç në tregtinë ruse të diamanteve.
Ekspertët presin që vëllimi i eksporteve ruse të bjerë ndjeshëm në periudhë afatgjatë, pasi Europa gradualisht kthehet drejt burimeve të reja të energjisë dhe sanksionet e reja hyjnë në fuqi. Zhvillimet në frontin tregtar dhe ekonomik ndikohen megjithatë edhe nga zhvillimet në fushat e betejës brenda Ukrainës. Rusia u tërhoq nga marrëveshja për eksportet e drithërave përmes Detit të Zi, pas goditjeve në forcat e saj në terren. Në çdo rast, pamja e ekonomisë dhe e tregtisë ruse mund të jetë e ndryshme dhe në përkeqësim në vitin 2023.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.