Spanja nis të kursejë energjinë elektrike – Bizneset, restorantet dhe transporti publik do të mbajnë një temperaturë të caktuar

Bizneset spanjolle, restorantet, muzetë dhe transporti publik do të mbajnë një temperaturë të caktuar sipas masës së miratuar nga qeveria me synimin për të kursyer energjinë elektrike.
Temperaturat e larta të verës dhe kufizimi i furnizimit me gaz për shkak të luftës në Ukrainë po ushtrojnë trysni në sistemet e energjisë në Europë. Një muaj më parë Bahskimi europian propozoi një reduktim prej 15% të konsumit të gazit duke filluar nga muaji gusht e deri në mars të vitit të ardhshëm për 27 vendet anëtare.
Sipas planit të qeverisë spanjolle minimumi i temperaturës në verë do të jetë 27 gradë ndërsa në dimër maksimumi do të jetë 19 gradë.
Masa do të hyjë në fuqi një javë pas publikimit në fletoren zyrtare dhe do të jetë e vlefshme deri në nëntor të vitit 2023.
Qeveria spanjolle konfirmoi se udhëtimi në tren për qytetarët do të bëhet falas. Plani i ri i kursimit të energjisë promovon gjithashtu punën në distancë disa ditë në javë për të kursyer karburantin, fikjen e dritave në ndërtesat publike dhe vitrinat e dyqaneve kur nuk janë në përdorim dhe mbylljen e dritareve dhe dyerve për të reduktuar ngarkesën në sistemet e ajrit të kondicionuar dhe ngrohjes në biznese si p.sh. restorantet.
Por masat mbeten vetëm rekomandime për sa i përket familjeve, të cilat mund të kursejnë duke fikur dritat. Qeveria ka miratuar tashmë instalimin masiv të paneleve diellore në çatitë e ndërtesave publike dhe inkurajoi nëpunësit civilë të punojnë më shumë nga shtëpia.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez propozoi javën e kaluar që ministrat, zyrtarët publikë dhe punonjësit e sektorit privat të mos mbajnë kravatë gjatë muajve të nxehtë të verës.
Dorina Murtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.