Stabilitet në tregun e brendshëm valutor – Dollari i jep fund 3 ditëve me radhë në rritje, euro forcohet lehtë
Edhe gjatë ditës së sotme, tregu i brendshëm valutor ka vijuar qëndrueshmërinë, ndërsa luhatjet janë me disa qindarka. Pas tre ditësh me radhë në rritje, sot dollari po qëndron në rënie të lehtë në raport me lekun, ndërsa euro realizon fitime modeste. Sipas agjencisë së këmbimit valutor, Iliria 98, euro blihet me 94.9 dhe shitet me 95.9 lekë, euro blihet me 103.5 dhe shitet me 104.2 lekë, franga zvicerane blihet me 109.4 dhe shitet me 110.4 lekë, ndërsa paundi britanik blihet me 120.1 dhe shitet me 121.1 lekë.
Ndërkohë, edhe në tregjet ndërkombëtare, monedhat kryesore po këmbehen në qëndrueshmëri, me dollarin që po qëndron pranë nivelit më të lartë në 1 muaj. Të dhënat e forta mbi shitjet me pakicë në SHBA kanë rritur pritshmëritë se Rezerva Federale nuk do të shpejtojë me uljen e normave të interesit. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 103.4, niveli më i lartë që nga 13 dhjetori. Tregtarët vlerësojnë aktualisht 54% mundësi që Rezerva Federale të ulë interesat në mars, nga 63% një ditë më parë.
Megjithatë, tregjet vijojnë të vlerësojnë se norma bazë e interesit në SHBA do të ulet me 150 pikë bazë, gjatë këtij viti, pavarësisht se Guvernatori Christopher Waller, kundërshtoi këto vlerësime të tregjeve. Në anën tjetër, euro po këmbehet e qëndrueshme në rreth 1.088 dollarë. Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, deklaroi në një intervistë për Bloomberg se do të ketë një mbështetje të madhe nga zyrtarët e BQE për uljen e interesave në verë, por gjithsesi vendimet do të varen nga të dhënat ekonomike që do të publikohen. Paundi britanik po këmbehet në rreth 1.2670 dollarë, ndërsa në sesionin e kaluar gjeti një mbështetje nga të dhënat që treguan se inflacioni u përshpejtua në dhjetor, duke forcuar pritshmëritë se Banka e Anglisë do të tregohet shumë e kujdesshme me uljen e interesave.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.