Taksitë në Itali në grevë 48 orëshe – Kaos dhe probleme në të gjithë qytetet e vendit
Italia ka përjetuar një kaos të vërtetë si pasojë e grevës 48 orëshe të taksive në të gjithë vendin të cilët kundërshtojnë projektligjin për konkurrencën, që sipas tyre mbështet më shumë shoqëritë shumëkombëshe në dëm të tyre
Një tjetër ditë e tensionuar në Itali si pasojë e grevës së taksive në të gjithë vendin. Protesta kombëtare prej 48 orësh ka krijuar kaos dhe probleme nga jugu në veri, ndërsa konfirmohet se janë 90% e taksive të vendit që marrin pjesë
Nuk ka pasur taksi në vendet e tyre por as në stacionet hekurudhore dhe aeroporte. Arsyeja kryesore është artikulli 10 i projektligjit për konkurrencën, që sipas taksistëve delegjitimon sektorin në favor të shumëkombëshve si Uber. Në qytete të ndryshme taksitë janë vendosur në rradhë dhe kanë hedhur parulla kundër kryeministrit Mario Dragi dhe qeverisë italiane, të cilët nuk pranojnë të lëshojnë pe për këtë temë
Ministria e Infrastukturës theksoi se ekzekutivi nuk ka ndërmend të heqë dorë nga artikulli 10 por është gati të bisedojë për të sqaruar më mirë projektligjin.
Në Romë ishin me mijëra taksistët që kanë parakaluar në rrugët e kryeqytetit duke paralizuar trafikun. Një pjesë e tyre u vendosë para ndërtesës së qeverisë dhe hodhën shishe plastike.
Nga Milano në Xhenova, nga Torino në Palermo protesta nuk ka ndaluar. Shumë turistë të huaj u shprehën të zemëruar por dhe italianë që përpiqeshin të shkonin në vendet e tyre të punës.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.