Turizmi, me rritje edhe në vjeshtë – Në jug u akomoduan 2.1 herë më shumë të huaj se një vit më parë
Të dhënat e INSTAT mbi strukturat akomoduese, të cilat i referohen muajit Tetor të vitit aktual, tregojnë se numri i vizitorëve ka ndjekur të njëjtën linjë si në sezonin veror. Konkretisht, në muajin Tetor të vitit 2023, numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 41.4%, në krahasim me tetorin e vitit të shkuar. Po ta analizojmë sipas tipologjisë, për vizitorë vendas rritja e konstatuar është me 44%, ndërsa për të huajt rritja regjistrohet në 39.3%.
Nga ana tjetër, edhe numri i netë qëndrimeve paraqet një kurbë rritëse, ku rritja e konstatuar është 68.8%, në krahasim me tetorin e vitit 2022. Nëse i analizojmë sipas tipologjisë së vizitorëve shohim se rritja nominale e numrit të netë qëndrimeve nga vendasit ishte 78.9%, ndërsa nga të huajt 62.1%
“Scan Intel” ka përpunuar këto të dhëna për të kuptuar se cila ka qenë tendenca e akomodimit pë këto vizitorë. Shifrat raportojnë se vizitorët e huaj kanë preferuar të akomodohen në rajnin e jugut, i cili është zgjedhur nga rreth 16,100 turistë. Ky rajon ka shënuar edhe rritjen më të lartë me 79.7% ose 2.1 herë më shumë. Nga ana tjetër, në zonat bregdetare janë akomoduar rreth 14,000 turistë të huaj dhe 17,000 vendas. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, ky tregues është rritur me 92.4%.
Në funksion të analizës janë studiuar të dhëna për origjinën e turistëve të huaj të cilët janë akomoduar në vendin tonë përgjatë muajit Tetor. Sipas INSTAT, 10.3% e turistëve janë nga Kosova, 9.4% nga Italia dhe 7.9% nga Gjermania. Më pak turistë nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë zgjedhur që sezonin e vjeshtës ta kalojnë në Shqipëri.
Armela Duka/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.