Varësia e vendeve ndaj krahut të lirë të punës – Emigracioni, aktualisht tre herë mbi nivelet para pandemisë
Ndërsa emigracioni arrin nivele rekord në mbarë botën, një debat po zhvillohet mes ekonomistëve nëse disa industri janë shumë të varura nga “duart e huaja”.Shumë pronarë biznesesh thonë se tërheqja e punëtorëve të huaj me kualifikim të ulët është bërë e nevojshme pasi popullsia vendase plaket dhe fuqia punëtore zvogëlohet.
Për disa ekonomistë, mbështetja te punëtorët e importuar po i afrohet niveleve jo të shëndetshme në disa vende, duke penguar rritjen e produktivitetit dhe duke ndihmuar bizneset të vonojnë kërkimin për zgjidhje më të qëndrueshme për mungesën e fuqisë punëtore. Këto zgjidhje mund të përfshijnë investime më të mëdha në automatizim ose ristrukturim më radikal si mbyllja e bizneseve, të cilat janë të dhimbshme, por mund të jenë të nevojshme në afat të gjatë, thonë ata.
Debati ka të ngjarë të nxehet më tej ndërsa shoqëritë perëndimore i afrohen një humnere demografike. Për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, popullsia në moshë pune po tkurret në ekonomitë e përparuara. Popullsia në moshë pune e Bashkimit Europian do të tkurret me një të pestën deri në vitin 2050.
Ka mënyra për të kompensuar këtë prirje, të tilla si inkurajimi i punëtorëve të moshuar për të vonuar daljen në pension. Por importimi i fuqisë punëtore të huaj është shpesh alternativa më e lehtë, duke pasur parasysh furnizimin e punëtorëve të disponueshëm në vende si Amerika Latine apo Afrika.
Imigrimi siguron gjithashtu një nxitim të rritjes ekonomike, pasi emigrantët rritin popullsinë dhe shpenzojnë para, edhe kur ai tërhiqet nga grupet konservatore, siç ndodh në SHBA dhe Europë. Emigracioni tani po shkon dy deri në tre herë mbi nivelet para pandemisë në vendet kryesore të destinacionit, përfshirë Kanadanë, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe.
Tre të katërtat e fermerëve dhe 30% e punëtorëve të ndërtimit dhe minierave në SHBA sot janë emigrantë. Në përgjithësi, emigrantët përbënin 18 % të fuqisë punëtore të SHBA-së në vitin 2021, krahasuar me 16 % një dekadë më parë, sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik. Pavarësisht premtimeve për të frenuar imigracionin, Mbretëria e Bashkuar ka parë një ‘boom’ që nga largimi nga BE në 2020-ën, ndërsa bizneset përpiqen të gjejnë punëtorë. Më shumë se 27% e infermierëve janë të huaj, nga rreth 14% në 2013.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.