Volkswagen po zgjat përdorimin e qymyrit për shkak të “kërcënimit” të energjisë ruse!
Drejtori i Përgjithshëm i Volkswagen është shprehur se gjigandi gjerman i automobilave po i mbante opsionet e tij të hapura për sa i përket mënyrës sesi fuqizon fabrikën e tij të madhe prodhuese në Wolfsburg, duke pranuar se qymyri do të ishte ende i nevojshëm për shkak të tensioneve të vazhdueshme midis Rusisë dhe Europës.
Duke mbuluar një sipërfaqe prej 6.5 milionë metrash katrorë, objekti i prodhimit të VW në qytetin e Wolfsburgut përdor dy impiante bashkëgjenerimi që i japin asaj ngrohje dhe energji. Firma kishte planifikuar të zëvendësonte bojlerët e saj me qymyr me njësi turbinash me gaz dhe avull në një përpjekje për të ulur emetimet e dioksidit të karbonit, por ngjarjet globale duket se kanë nxitur një rimendim për momentin.
VW raportoi të mërkurën rezultatet për tremujorin e parë të 2022. Fitimi operativ përpara artikujve specialë arrinte në 513 milionë euro (rreth 541 milionë dollarë), nga 490 milionë euro në tremujorin e parë të 2021. Firma raportoi të ardhura nga shitjet prej pak më pak se 15 miliardë euro krahasuar me 17.6 miliardë euro në tremujorin e parë të 2021.
Rusia ishte furnizuesi më i madh si i naftës ashtu edhe i gazit natyror për BE-në vitin e kaluar, sipas Eurostat. Nga fundi i prillit, firma shtetërore ruse energjetike Gazprom ndaloi furnizimet për dy vende të BE-së, Poloninë dhe Bullgarinë, sepse ato kishin refuzuar të paguanin për gazin në rubla. Lëvizja bëri që shumë njerëz të frikësoheshin se edhe vendet e tjera në BE mund të shihnin ndalimin e furnizimeve të tyre.
Paqëndrueshmëria gjeopolitike, paqëndrueshmëria e tregjeve të energjisë dhe pandemia Covid-19 kanë ngjallur të gjitha shqetësime në disa qarqe se çdo tranzicion drejt një ekonomie globale të përqendruar rreth burimeve të rinovueshme mund të vonohet ose parandalohet. CNBC
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.