Zjarri në Shqipëri rrezikon zona të banuara dhe të mbrojtura – Situata aktuale në të gjithë vendin

Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici gjatë një deklarate për shtyp ka informuar se gjatë këtyre 24 orëve janë shuar 24 vatra zjarri, 5 prej të cilave kanë qenë problematike duke rrezikuar zona të banuara dhe zona të mbrojtura.
Sipas deklaratës së saj janë shuar tri vatrat në Qarkun e Lezhës: në Balldren, në zonën pyjore në Orosh si dhe vatra në fshatin Bërzanë, ku flakët rrezikuan zonën e mbrojtur. “Favorizimi nga era bëri që në një kohë relativisht të shkurtër zjarri të merrte përmasa të menjëhershme. Por angazhimi i 105 forcave operacionale, prej tyre 60 Forca të Armatosura, të shërbimit zjarrfikës, të shërbimit pyjor, Policisë së Shtetit, vullnetarë dhe sektori i emergjencave të bashkisë Lezhë si dhe me ndërhyrjen nga ajri të helikopterit Cougar bëri të mundur vënien nën kontroll dhe shuarjen e tij në kohë rekord,” tha ajo.
Gjithashtu sipas deklaratës për shtyp:
- Janë shuar vatrat në fshatin Malajgji të Bashkisë Vau i Dejës dhe një vatër në kurrizin e Moravës, në Devoll.
- Gjatë këtyre 24 orëve qarqet më problematike sa i përket zjarreve kanë qenë Shkodra, Vlora dhe Lezha.
- Mëngjesi i sotëm ka nisur i qetë dhe aktualisht janë aktive tri vatra, të cilat po zhvillohen me intensitet të ulët: vatra në fshatin Lekbibaj në bashkinë Tropojë, në fshatin Shetaj dhe Bizë të bashkisë Durrës.
Ministrja u shpreh se strukturat e sistemit të mbrojtjes civile janë në gatishmëri të plotë me të gjitha kapacitetet nga toka dhe ajri për mbajtjen nën kontroll të situatës dhe normalizim e saj në të gjithë vendin.
Ajo u bëri thirrje sërish të gjithë qytetarëve të jenë të kujdesshëm, veçanërisht në këtë periudhë, kur edhe temperaturat e larta favorizojnë përhapjen e zjarreve si dhe të bashkëpunojnë me pushtetin vendor dhe të raportojnë në kohë vatrat, duke kërkuar edhe ndihmën e menjëhershme të shërbimit zjarrfikës.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.