2021, i vështirë për shqiptarët, por i mbarë për Qeverinë – “Shkëlqejnë” eksportet e importet prej rritjes së çmimeve. Borxhi publik shumë i lartë

Qeveria duket se është ndër të paktat subjekte që nuk mund të ankohen nga situata financiare e vitit 2021. Rritja e ccmimeve të produkteve i ka siguruar të ardhura buxhetore si kurrë më parë. Shifrat përfundimtare janë zbardhur në Buxhetin Faktik të vitit të shkuar, i sapodepozituar në Kuvend.
Ndërsa qytetarët janë përballur me çmime të larta, ndërsa bizneset me kosto të shtuara, Qeveria i është gëzuar miliardave lekë të shtuara si rezultat i të ardhurave nga tatimet e doganat.
Të ardhurat në buxhetin e shtetit prekën vlerën e 510 miliardë lekëve, afërisht 5 miliardë dollarë. Bëhet fjalë për rritje jo të vogël por 20% më shumë se një vit më parë. Rritja e arkëtimeve nga tatimet e doganat konstatohet shumë lehtë nëse i referohesh të dhënave të import-eksporteve.
Eksportet për periudhёn janar – dhjetor 2021 shënuan rritje prej +35.6% krahasuar me një vit më parë, ndёrsa vetёm pёr muajin dhjetor 2021 eksportet shёnuan rritje prej +38.2% nё krahasim me muajin dhjetor 2020.
Në dhjetor 2021, eksportet e mallrave arritën vlerën 31.90 mld lekë, duke u rritur me 38.2%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke rënë me 14.49% në krahasim me nëntorin 2021. Për tërë vitin 2021 eksportet e mallrave arritën vlerën 368.77 mld lekë, duke u rritur me 35.6%, krahasuar me një vit më parë.
Importet e mallrave ndërkaq, për periudhёn janar – dhjetor 2021 shënuan rritje prej +32.3% krahasuar me një vit më parё, ndërsa vetëm për muajin dhjetor 2021 importet shënuan rritje vjetore prej +43.1% në krahasim me muajin dhjetor 2020. Në dhjetor 2021 importet e mallrave arritën vlerën 87.84 mld lekë, duke u rritur me 43.1%, në krahasim me një vit më parë dhe duke u rritur me 9.1%, në krahasim me nëntor 2021. Për tërë vitin 2021, importet e mallrave arritën vlerën 800.72 mld lekë, duke u rritur me 32.3%, krahasuar me një vit më parë.
Gjithësesi, i lartë mbetet borxhi publik, i cili raporohet nga Ministria e Financave në nivelin prej 73.2% të PBB-së në fund të vitit 2021. Por edhe me këtë tregues, Qeveria shprehet me optimizëm se është shumë larg parashikimeve fillestare prej 78.1%.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.