28.6 milionë euro për blerje energjie – KESH, 2 tenderë në 2 ditë. Sasia më e madhe blihet 74 euro/Mwh më shtrenjtë

Brenda 2 ditësh Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka kryer 2 procedura për blerjen e energjisë elektrike, ndërkohë që çmimi me të cilin është siguruar sasia më e madhe është ndjeshëm më i lartë.
Fillimisht KESH hapi një tender në datën 6 gusht, përmes të cilit bleu 10 152 Mwh, me një çmim mesatar prej 408.37 euro/Mwh. Ndërkohë që, në datën 8 gusht është kryer një tjetër procedurë blerje për 50 754 Mwh, me një çmim mesatar prej 482.34 euro/Mwh apo rreth 74 euro më shrenjtë se procedura e 2 ditëve më parë.
Në total, për këto 2 blerje janë shpenzuar rreth 28.6 mln euro, teksa fatura vetëm për muajin gusht përllogaritet në 46.6 mln euro. Blerja e energjisë me baza ditore apo javore ka prekur drejtpërdrejt Korporatën Elektorenergjetike Shqiptrae nga rritja e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare.
Kjo pasi, mungojnë kontratat afatgjata për blerjen e energjisë, që mund të ishin siguruar në periudha kur çmimet ishin më të favorshme.
Sigurimi i kontratave afatgjata të energjisë deri në 3 vjet ishte një nga pikat kryesore të vendimit të qeverisë, që u miratua në tetor të vitit të kaluar në kuadër të emergjencës së furnizimit me energji të shpallur nga Këshilli i Ministrave e që synonte përballimin e situatës.
Por, pavarësisht kësaj ai nuk është zbatuar, teksa fatura për blerjen e energjisë deri më tani, sipas shifrave të publikuara nga KESH së bashku me 2 blerjet e fundit për gushtin përllogaritet në 235.6 mln euro.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.