34 mijë përfitues të naftës falas – Përcaktohet afati i fundit i tërheqjes për fermerët e pajisur me kartë
Afro 34 mijë fermerë në të gjithë vendin përfitojnë naftë falas për të kryer punime të menakizuara në bujqësi, pa kosto të shtuar. Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, ka bërë publike listat e emrave përfitues, ku dhe janë shpërndarë kartat përkatëse për çdo fermer me sasinë e përfituar të naftës në bazë të hektarëve të tokës që disponon. Ndërkohë, AZHBR, u bën apel fermerëve që janë të pajisur me kartën përkatëse, që të kryejnë tërheqjen e sasisë së naftës brenda datës 15 Dhjetor 2022.
Kjo mbështetje ka qenë pjesë e Skemës Kombetare 2022, e cila është vënë në dispozicion të fermerëve me qëllim që të parandalohet rritja e kostove të prodhimit për produktet bujqësore dhe fermerët të nxiten që të punojnë tokën. Subjektet përfituese të skemës mbështetëse të naftës për bujqësinë janë ato subjekte, të cilët për aktivitetin e tyre bujqësor kryejnë punime të mekanizuara në kulturat bujqësore dhe që plotësojnë disa kritere.
Konkretisht fermerët individualë duhet të jenë të pajisur me NIPT-in e fermerit me status aktiv; personat fizikë dhe juridikë të jenë të pajisur me NIPT/NUIS me status aktiv. Çdo subjekt përfitues, duhet të provojë se ka tokë bujqësore në pronësi apo përdorim,; Aplikanti vetëdeklaron kulturat bujqësore të mbjella ose që parashikon të mbjellë, sipas përcaktimeve të formularit të aplikimit on line.
Për të gjitha llojet e subjekteve përfituese, madhësia minimale e sipërfaqes së deklaruar për kryerjen e punimeve të mekanizuara në kulturat bujqësore, duhet të jetë jo më pak se 0.4 ha, e përbërë nga parcela/ngastra me sipërfaqe jo më pak se 0.1 ha. Aplikimet e fermerëve janë on line përmes e-albania. Ky është viti i dytë I vënies në jetë të kësaj skeme mbështetse, ku numri i fermerëve është dyfishuar.
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.