Dollari vijon forcimin – Investitorët presin të dhënat mbi punësimin në SHBA
Dollari është forcuar ndjeshëm edhe në sesionin e fundit të kësaj jave, pas disa komenteve të zyrtarëve të Rezervës Federale për të rritur normat e interesit. Gjithashtu, edhe pritshmëritë se të dhënat mbi punësimin në SHBA do të jenë pozitive kanë mbështetur dollarin amerikan. Rritja e dollarit ka rrëzuar euron, paundin britanik dhe jenin japonez.
Monedha europiane ka rënë poshtë 0.98 dollarëve, ndërsa paundi ka zbritur poshtë 1.12 dollarëve. Një ditë më parë, disa zyrtarë të Rezervës Federale përforcuan bindjen e investitorëve se banka qëndrore më e madhe në botë do të vijojë me shtrëngimin e politikave monetare, pavarësisht se inflacioni mund të ketë arritur majën. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan është rritur në mbi 112, ndërsa gjatë sesionit të kaluar u rrit me rreth 1%.
Fokusi do të jetë i përqëndruar te raporti mbi punësimin në SHBA, që do të publikohet më vonë gjatë ditës së sotme. Analiëtët parashikojnë se, ekonomia më e madhe në botë do të ketë krijuar edhe 250 mijë vende të reja pune, gjatë shtatorit, nga 315 mijë që krijoi në gusht.
Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin ka rënë sërish poshtë 20 mijë dollarëve, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1350 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.