47.2 milionë lekë shtesë për Kardhiq-Delvinë – ARRSH modifikon kontratën e sinjalistikës rrugore, ndryshimet publikohen pas 3 muajsh
Një seri tenderësh për ndërtimin e aksit rrugor Kardhiq – Delvinë nuk kanë mjaftuar për përufndimin e punimeve, duke qenë se Autoriteti Rrugor Shqiptar ka miratuar një fond shtesë prej rreth 47.2 mln lekë, pa TVSH për përfundimin e veprës.
Sipas ARRSH, ndryshimet janë bërë në kontartën që parashikon ndërtimin e sinjalistikës dhe punimet për rritjen e sigurisë rrugore nga loti 1 deri në lotin 6, duke e çuar vlerën totale të kontratës për këtë qëllim në 267.2 mln lekë, nga 220 mln lekë, që ishte më herët.
ARRSH argumenton se modifikimi i kontrarës është bërë për shkak të rishikimit të projekt-preventivit si pasojë e ndryshimeve të konstatuara gjatë zbatimit të kontratave të ndërtimit e më konkretisht spostimi i Konstruksionit Metalik Portal dhe rishikimi i pozicionit dhe tipit të Guardrail H2Ë4, në kuadër të përmirësimit të projektit.
Shtesa e kontartës është miratuar që në muajin qershor, por është bërë publike pas 3 muajsh. Këto janë fondet publike të radhës, që jepen për ndërtimin e këtij aksi rrugor, duke rritur kostot e zbatimit të projektit.
Vetëm më muajin maj Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur fituesin e tenderit, për lotin 8 të aksit Kardhiq-Delvinë, që përfshin sistemimin dhe rivitalizimin e skarpateve. Punimet do të kushtojnw 1,43 mld lekë, një vlerë sa 99.68% e fondit limit të vënë në dispozicion nga autoriteti kontraktor nw atw kohw.
Aksi rrugor Kardhiq – Delvinë ka një gjatësi 33 km dhe përshkon rrethin e Gjirokastrës, Delvinës dhe Sarandës. Punimet për ndërtimin e tij nisën në vitin 2009, por ato u zvarritën prej vitesh.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.