5 vite tenderë për korridorin blu – Garat, mes akuzave dhe anulimeve. Akset janë ende në letër
Në 5 vitet e fundit qeveria shqiptare ka hapur një sërë garash tenderuese për ndërtimin e segmenteve të ndryshëm të korridorit blu, por deri më tani asnjë prej tyre nuk është ndërtuar. Ndërsa gjatë zhvillimit të tyre nuk kanë munguar akuzat për fryrje kostosh dhe paracaktim të fituesve. Një prej segmenteve të tenderuar në vitin 2018 është Thumanë – Kashar, ku fillimisht qeveria i dha një bonus prej 8.5 pikësh kompanisë “Gener 2”, teksa projekti ishte pjesë e paktës “1 miliard “ të qeverisë për rrugët.
Pas një sërë akuzash për korrupsion nga opozita, ai i u anulua në fillim të vitit 2019 me argumentin se fondet buxhetore të parashikuara do të shkonin në funksion të “Paktit për Universitetin”, ndonëse në atë kohë buxheti i parashikuar për këtë kontratë ishte “zero” lekë. Gjithsesi, kompania ankimoi vendimin në gjykatë, teksa kjo e fundit i dha të drejtë, duke detyruar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë të rinegociojë kontratën.
Pa ankimuar vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit, në Gjykatën e Lartë, në kontratën e re MIE përcaktoi një kohëzgjatje 35-vjeçare të koncesionit, nga 13 vjet që ishte më herët. Kontrata u miratua në qeveri në muajin maj të këtij viti, ndërsa parashikon që koncesionari do të ndërtojë dhe mirëmbajë 21 km rrugë, ndërsa do realizojë rreth 1.3 mld euro të ardhura bazë, nga pagesa e drejtuesve të automjeteve.
Një tjetër segment, që u pasua me një sërë problemesh e më pas u anulua është Milot –Balldren. Kontrata e PPP, nënshkruar në vitin 2019 parashikonte ndërtimin e një rruge prej 17.2 km, që shtrihej përgjatë aksit të rrugës ekzistuese që lidh Milotin me qytetin e Lezhës dhe devijohej si rrugë plotësisht e re, nga nyja e qytetit të Lezhës deri në Balldren, ku më pas lidhet me rrugën ekzistuese në drejtim të Shkodrës. Nënshkrimi i saj u pasua nga një sërë akuzash për kosto të fryra dhe se kompania ANK nuk kishte kapitalin e nevojshëm për të realizimin e veprës.
Tenderi i radhës u hap në korrik të vitit 2020, ku ndryshe nga 2 të parët që përfshinte lote më të shkurtër, parashikonte ndërtimin e aksit Milot – Fier, me një gjatë prej 114 km, ndërsa parashikonte që brenda vitit të nënshkruhej kontrata. Vlera e investimit parashikohet të ishte 1.2 mld euro, ndërkohë që gjatë hapjes së garës opozita kërkoi anulimin e projektit, për shkak të kostove të fryra për një aks, që në pjesën më të madhe të gjatësisë së tij është i ndërtuar.
Qeveria mohoi vazhdimisht akuzat, por gjithsesi në atë kohë gara u shty disa herë, me argumentin e situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19, ndërsa më pas u anulua tërësisht. Gara e hapur në 2 gusht është përpjekja e radhës e qeverisë për të finalizuar projektin, ndërsa ministrja Belinda Balluku shtoi se tenderi i mpërshëm dështoi pasi 1 kompani e huaj që ishte pjesëmarrëse në garë, nuk plotësonte kriteret e vendosur e që një prej tyre ishte koha e gjatw pwr zbatimin e punimeve.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.