Mbyllen pa ankesa 3 tenderët për Milot-Fier – Koncesioni 837 milionë euro për vetëm 26.6 km segment të ri. I hapet rruga shqyrtimit të ofertave
3 proceduart për dhënien me koncesion të autostradës Milot – Fier janë mbyllur pa ankesa nga operatorët ekonomikë në lidhje me dokumentet e tenderit, duke i hapur rrugë shqyrtimit të ofertave nga Ministria e Infrastruktrës dhe Energjisë.
Afati i fundit për dorëzimin e tyre ishte data 30 shtator, ndërkohë që sipas sistemit të Agjencisë dhe Prokurimit Publik nuk ka patur pezullim apo anulim të procedurës tenderuese. Kjo është faza e parë, pasi sipas procdurave ligjore ankesat mund të depozitohen më tej për fazën e shqyrtimit të ofertave, ku shpesh herë ka kontestime për vendimet e Komisioneve të Vlerësimit.
3 garat u hapën në datën 2 gusht të këtij viti, teksa parashikojnë dhënien me koncesion të segmentit rrugor për një periudhë 35-vjeçare. Sipas dokumenteve të tenderit, përgjatë gjithë gjatësisë kalimi i automjeteve do të jetë me pagesë.
Të ardhurat e kompanive që do të ndërtojnë rrugën do të sigurohen nga këto pagesa, ndërkohë që ngjashëm me kontratën për segmentin Thumanë – Kashar, për 8 vite buxheti i shtetit do të rimbursojë kompanitë private, në rast të trafikut të munguar.
Referuar dokumenteve të 3 garave koncesionare, vlera e investimit për 86.1 km rrugë parashikohet të jetë rreth 837 mln euro, pa TVSH. Pjesa më e madhe e autostradës apo 59.5 km janë rrugë ekzistuese, ndërkohë që vetëm 26.6 km janë gjurmë e re. Rruga është ndarë në 3 segmente.
Ndërkohë që edhe segmenti Thumanë – Kashar është pjesë e autostradës Milot – Fier, por tashmë për këtë lot është nënshkruar kontrata koncesionare, ndërsa vlera e investimit nuk është bërë publike dhe nuk është pjesë e kontratës të publikuar në Fletoren Zyrtare.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.