Qeveria rishikon skemën e borxhit, jo çdo hap kalon në parlament – Imuniteti dhe përjashtimi nga taksat, direkt nga ministri i Financave
Qeveria shqiptare ka përgatitur një ligj që në thelb e bën fakultative detyrimin që për huamarrjen e në tregjet e jashtme të merret edhe miratimi i parlamentit për çdo procedurë. Nisma vjen në një kohë kur parashikimet për tregjet ndërkombëtare flasin për mundësitë e shtrenjtimit të borxhit në tregjet ndërkombëtare si rrjedhojë e politikave që po ndërmerren si përgjigje ndaj krizës së çmimeve dhe konfliktit ushtarak në Ukrainë.
Nisma e depozituar në Kuvend argumentohet si një ndërhyrje në drejtim të përmirësimit të procesit të huamarrjes shtetërore dhe të menaxhimit të borxhit shtetëror, për t’i paraprirë çdo situate të mundshme.
Konkretisht, nisma rishikon procedurën e dhënies së miratimit rast pas rasti të miratimit nga parlamenti të perjashtimeve nga taksat, apo heqjes dorë nga imuniteti, sa herë që vendi duhet të aksesoje tregjet nderkombëtare për financim.
“Në marrëveshjet, që do të lidhen nga ministri përgjegjës për financat për realizimin e huamarrjes në tregjet ndërkombëtare, lejohen parashikimet për heqjen dorë nga imuniteti. Mbajtësit jorezidentë të instrumenteve të borxhit të marrë në tregjet ndërkombëtare, qofshin persona fizikë jorezidentë në Shqipëri apo entitete jorezidente pa një seli të përhershme në Shqipëri, përfshirë menaxherët bashkëdrejtues, përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat në Shqipëri, për të gjitha transaksionet dhe veprimtaritë që lidhen me emetimin, mbajtjen, ruajtjen e tregtimin e instrumenteve të borxhit, si dhe nga ndonjë tatim indirekt apo taksë tjetër të aplikueshme në Republikën e Shqipërisë” shkruhet në dispozitën që I është shtuar ligjit të borxhit publik.
Një ndërhyrje e tillë do të mundësonte thjeshtësimin e mëtejshëm të procedurës së huamarrjes në tregjet ndërkombëtare, në kushtet ku ky proces kërkon reagim me shpejtësi për të përfituar nga oportunitetet që mund të ofrojnë tregjet financiare në momente të caktuara, duke konsideruar që këto tregje paraqiten me zhvillime shumë dinamike dhe që impaktohen nga çdo indikator apo rrethanë e caktuar.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.