Dollari, në nivelin më të lartë në 6 javë – Mbështetet nga të dhënat pozitive mbi punësimin dhe prodhimin
Dollari amerikan ka zgjeruar fitimet edhe në sesionin e sotëm, duke u ngjitur në nivelin më të lartë në 6 javët e fundit, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare. Gjatë kësaj jave, monedha e gjelbër është mbështetur nga të dhënat pozitive të publikuara në SHBA, që kanë rritur pritshmëritë se Rezerva Federale do të vijojë me shtrëngimin e politikave monetare.
Të dhënat e publikuara të enjten treguan se, numri i amerikanëve që aplikuan për përfitimin e asistencës së papunësisë ranë gjatë javës së kaluar, ndërsa Indeksi i Çmimeve të Prodhimit u rrit me hapin më të shpejtë në 7 muajt e fundit. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 104.3, dhe pritet të publikojë fitime për të tretën javë me radhë.
Njëkohësisht, zyrtarët e Rezervës Federale kanë sinjalizuar se norma bazë e interesit do të vijojë të rritet dhe deri në mes të këtij viti mund të shkojë deri në 5.25%. Ndër zhvillimet e tjera, qeveria e Japonisë zgjodhi akademikun, Kazuo Ueda, si guvernatorin e ri të bankës qendrore. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin ka rënë lehtë poshtë 24 mijë dollarëve, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1650 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.