Miliarda dollarë të bllokuara në Rusi – Investitorët e huaj përpiqen të anashkalojnë sanksionet
Miliarda dollarë që u përkasin investitorëve të huaj, aktualisht janë bllokuar në Moskë. Dividentët e aksioneve, interesat e obligacioneve dhe çdo gjë që investitorët perëndimorë nuk arritën të shisnin para luftës në Ukrainë, tani qëndrojnë pas “xhamit anti plumb “ të sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë.
Këto janë mbetjet e pranisë ruse në tregun ndërkombëtar dhe një tjetër tregues i izolimit të saj nga komuniteti ndërkombëtar për shkak të luftës. Sipas ligjit ndërkombëtar, paratë i përkasin disa prej kompanive më të mëdha të investimeve si JPMorgan Asset Management dhe Schroders Plc., por shumica e investitorëve e kuptojnë se nuk ka asnjë shpresë për rikuperimin e parave, të paktën për aq kohë sa Vladimir Putin të jetë në postin e presidentit të vendit.
Ekzekutivi i GAM investment Management Tim Love, i cili ka investuar në aksionet ruse, u shpreh se investitorët duhet t’i harrojnë këto fonde dhe të mos i përfshijnë në vlerësimet e tyre. Ais htoi se tregu ndodhet ende atje, por ndërkohë që flitet për riatdhesimin e dividentëve ose aksesin në letrat përkatëse, të gjitha kanë si “barrierë” sanksionet.
Por ndërkohë sa para i ka kushtuar deri tani ekonomisë botërore lufta e Putinit? Kjo pasi lufta e Rusisë në Ukrainë jo vetëm që shkatërroi zona të mëdha të vendit, por tronditi arkitekturën e sigurisë së Europës, si dhe ekonominë globale.
Sipas një studimi ende të pabotuar, lufta e Putinit vitin e kaluar i kushtoi ekonomisë botërore mbi 1.6 trilion dollarë, sipas raportimeve të Rheinische Post, duke cituar studimin e Institutit të Këlnit për Ekonominë Gjermane – IW. Në vitin 2023, humbjet globale të prodhimit mund të arrijnë në rreth 1 trilion dollarë të tjerë, theksoi gazeta gjermane. Ekonomia globale u përball me një nga vitet më të këqija në tre dekadat e fundit
Modeli llogaritës i IW mori produktin e brendshëm bruto – GDP – si vlerë referencë, por përfshiu në vlerësim parashikimet e vjeshtës të Fondit Monetar Ndërkombëtar
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.