Euro e nis javën në rritje të lehtë – Tregjet presin dëshminë e Powell në kongres dhe punësimin në SHBA
Euro e ka nisur në rritje të lehtë këtë javë, pasi investitorët po presin dëshminë në kongres të shefit të Rezervës Federale, Jerome Powell dhe të dhënat mbi punësimin për shkurtin në SHBA, që do të japin një panoramë më të qartë mbi politikat monetare.
Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 104.5, shumë pranë nivelit më të lartë në 7 javët e fundit, të regjistruar javën e kaluar.
Në dy takimet e fundit, Rezerva Federale e rriti normën bazë të interesit me 25 pikë bazë, por të dhënat pozitive të muajit të fundit kanë rritur mundësitë që banka qendrore të vijojë me politikën monetare shtrënguese. Analistët parashikojnë se ka 72% mundësi që Rezerva Federale të rrisë normat e interesit sërish me 25 pikë bazë në takimin e 22 marsit.
Njëkohësisht, analistët parashikojnë se ekonomia amerikane do të ketë krijuar edhe 255 mijë vende të reja gjatë shkurtit. Euro po tregtohet e qëndrueshme në rreth 1.065 dollarë, ndërsa gjatë javës së kaluar u rrit me 0.8%. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin po tregtohet në rreth 22,400 dollarë, ndërsa në sesionin e së premtes ra me rreth 5%. Ethereum po tregtohet në rreth 1560 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.