Mallrat shqiptare humbasin terren në Kinë, SHBA e Gjermani – Eksportet shqiptare orientohen drejt vendeve më të afërta
Tregtia e Shqipërisë është orientuar këtë vit drejt vendeve më të afërta. Të dhënat e tregtisë së jashtme tregojnë se Shqipëria ka rritur ndjeshëm eksportet drejt Greqisë, Spanjës, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut ndërsa i ka ulur ndjeshëm eksportet drejt Kinës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë.
Referuar të dhënave të tregtisë së jashtme të publikuara nga Instat, në periudhën janar-prill, Shqipëria ka eksportuar drejt Greqisë rreth 3.9 miliardë lekë mallra më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Drejt Spanjës, Shqipëria ka eksportuar 4.6 miliardë lekë më shumë, ndërsa në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut, ka eksportuar përkatësisht 1.6 miliardë lekë edhe 2 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Ndërkohë, eksportet drejt Kinës janë përgjysmuar këtë vit duke rënë me 2.5 miliardë lekë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Paralelisht, edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës eksportet kanë reënë ndjeshëm me 2.5 miliardë lekë më pak. Ndërsa me Gjermaninë, eksportet kanë rënie me 3.8 miliardë lekë.
Gjatë 4 muajve të parë të vitit, grupmallrat që kanë ndikuar më shumë në rënien e eksporteve janë materialet e ndërtimit dhe metalet, produktet kimike dhe plastike si dhe mineralet, lëndët djegëse e energjia elektrike. Një rol të rëndësishëm në këtë luhatje luan padyshim konjuktura e çmimeve dhe zhvlerësimi i monedhave ndërkombëtare.
Tabela
Eksportet në rritje
Greqi +3.9 miliardë lekë
Spanjë + 4.6 miliardë lekë
Kosovë +1.6 miliardë lekë
Maqedoni e Veriut +2 miliardë lekë
Eksportet në ulje
Kinë -2.5 miliardë lekë
SHBA -2.5 miliardë lekë
Gjermani -3.8 miliardë lekë
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.