Mbyllja e pjesshme e qeverisë rrezikon turizmin – Humbjet në SHBA llogariten deri 140 milionë dollarë në ditë
Nëse Kongresi Amerikan nuk miraton legjislacionin për financimin e qeverisë që presidenti Joe Biden mund ta kthejë në ligj deri në mesnatën e së shtunës, qindra mijëra punonjës federalë mund të pushohen nga puna. Një situatë e tillë do të ndikonte në një sërë shërbimesh duke filluar nga parqet kombëtare deri te aeroportet.
Shoqata e Udhëtimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka paralajmëruar se mbyllja e qeverisë mund t’i kushtojë industrisë së turizmit një humbje deri në 140 milionë dollarë në ditë. Shumë shërbime thelbësore të udhëtimit, si siguria e aeroportit dhe përpunimi i pasaportave ose vizave do të vazhdojnë. Por, sekretari i transportit paralajmëroi se një mbyllje e pjesshme e qeverisë mund të pengojë dhe udhëtimet ajrore.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, mbylljet e kaluara të qeverisë kanë shkaktuar vonesa të konsiderueshme dhe kohë më të gjata pritjeje për udhëtarët. Punëtorëve të Administratës së Sigurisë së Transportit – TSA dhe kontrollorëve të trafikut ajror iu kërkohet të punojnë pa ndërprerje – por ata nuk paguhen gjatë kësaj kohe. Në vend të kësaj, ata duhet të presin derisa mbyllja të përfundojë për të marrë pagën e tyre.
Mijëra kontrollorë të trafikut ajror duhet të pushohen nga puna dhe trajnimi duhet të ndalet për më shumë se 1 mijë të tjerë. Mungesa e kontrollorëve të trafikut ajror ka shkaktuar ndërprerje të zgjatur të fluturimeve në SHBA dhe Autoriteti i Aviacionit të Federatës ka thënë tashmë se është prapa në objektivat e tij të trajnimit vjetor.
425 parqet kombëtare në të gjithë SHBA-në dhe një sërë monumentesh të ndryshme historike do të mbyllen njëkohësisht me mbylljen e qeverisë. Kjo përfshin shtëpitë historike, fushat e betejës, muzetë dhe të gjitha shërbimet në parqet kombëtare si qendrat e vizitorëve, kampet dhe programet arsimore.
Shërbimi i Parqeve Kombëtare thotë se gjatë mbylljes së qeverisë në 2013-ën, mbyllja e të gjitha parqeve dhe monumenteve kombëtare rezultoi në 500 milionë dollarë të ardhura të humbura nga turizmi. Rreth 6 në 10 amerikanë thonë se do të anulonin ose shmangnin udhëtimin ajror në rast të një mbylljeje. Fatkeqësisht, sigurimi i udhëtimit nuk ka gjasa të rimbursojë udhëtimin.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.