Çmimet e larta, biznesi rrit fitimet dhe ul borxhet – 58% e kompanive i kanë mbuluar nevojat financiare vetëm me shitjet, pa hua
Biznesi shqiptar po përjeton një situatë mjaft të mirë financiare për shkak të çmimeve të larta. Sipas vrojtimit të kryer nga Banka e Shqipërisë mbi një kampion prej 1352 ndërmarrjesh, gjatë gjysmës së parë të këtij viti rreth 58% e kompanive kanë vijuar të financojnë veprimtarinë e tyre vetëm nëpërmjet shitjeve, duke shënuar rënie për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, dhe rritje për ato të mëdha. Lidhur me planifikimin e një huamarrjeje në të ardhmen, rreth 47% e ndërmarrjeve që i janë përgjigjur pyetësorit deklarojnë se “nuk ka asnjë mundësi” që të kërkojnë një kredi bankare gjatë periudhës së ardhshme. Kjo peshë është rritur për të gjitha madhësitë e ndërmarrjeve në krahasim me periudhën paraardhëse.
Ndërkaq, vlera totale e huasë rezulton afërsisht sa gjysma e vlerës së kapitalit të ndërmarrjes për rreth 83% të ndërmarrjeve huamarrëse dhe pothuaj e njëjtë me vlerën e kapitalit për 9% të tyre, ndërkohë që pjesa e mbetur prej 8% pohojnë që vlera e huasë e tejkalon atë të kapitalit.
Ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha raportojnë rritje të rezultatit financiar, ndërsa ndërmarrjet e vogla raportojnë rënie të tij. Kështu ndërmarrjet e mesme dhe ato të mëdha vijojnë të pohojnë rritje të rezultatit financiar, me një balancë neto pozitive (përkatësisht prej 12.2% dhe 22%), por në ngushtim krahasuar me periudhën paraardhëse dhe në zgjerim në krahasim me një vit më parë.
Rreth 38% e totalit të ndërmarrjeve që janë përgjigjur, pohojnë se kanë një hua për të paguar. Kjo peshë ka shënuar një rënie prej 1 pikë përqindje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe 2 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Në terma të madhësisë së ndërmarrjeve, pesha e ndërmarrjeve huamarrëse ka rezultuar në rënie gjatë periudhës për ndërmarrjet e mesme dhe ato të mëdha, (përkatësisht me 2.1 pikë përqindje dhe 2.3 pikë përqindje) dhe në një rritje të vogël me 0.5 pikë përqindje për ndërmarrjet e vogla.
92% e kompanive janë përgjigjur se i janë drejtuar sektorit bankar dhe shoqërive të mikrokredisë për të siguruar hua, ndërkohë që ato janë marrë kryesisht për përballimin e shpenzimeve afatshkurtra dhe për kryerjen e një investimi afatgjatë. Krahasuar me gjashtëmujorin paraardhës, pesha e ndërmarrjeve që kanë marrë hua për të përballuar shpenzimet afatshkurtra është rritur për të tre llojet e ndërmarrjeve, veçanërisht në rastin e ndërmarrjeve të mëdha (me 27 pikë përqindje) dhe të vogla (me 21 pikë përqindje). Në të njëjtën kohë, pesha e ndërmarrjeve të cilat kanë marrë hua për kryerjen e një investimi afatgjatë ka rënë për të tre grupet e ndërmarrjeve, por më e theksuar në rastin e ndërmarrjeve të vogla (me 10.3 pikë përqindje) dhe ndërmarrjeve të mëdha (me 7.7 pikë përqindje).
Lorenc Rabeta/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.