Bursat europiane thellojnë humbjet – Ndikohen nga rezultatet zhgënjyese të korporatave
Bursat europiane po qëndrojnë në rënie edhe në sesionin e sotëm, ndërsa fokusi është i përqëndruar te fitimet tremujore të korporatave, për tremujorin e tretë të këtij viti dhe te lëvizja e yield-it të obligacioneve amerikane. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 ka humbur rreth 0.7% të vlerës, ndërsa sektori i automjeteve kryeson humbjet, në rënie me rreth 2%, për shkak të fitimeve zhgënjyese të industrisë për tremujorin e tretë.
Aksionet e bankës Standard Chartered kanë humbur rreth 9% të vlerës, pasi huadhënësi britanik raportoi të ardhura më të ulëta se parashikimet e analistëve, për shkak të një ekspozimi prej 1 miliard dollarë ndaj sektorit bankar kinez dhe sektorit të pasurive të paluajtshme.
Kjo javë ka qenë mjaft e ngjeshur me raportime tremujore, me kompaninë Meta, që zotëron Facebook dhe Instagram, e cila raportoi një rritje të ndjeshme të fitimeve, por paralajmëroi për një ngadalësim në tremujorin e fundit të vitit.
Në anën tjetër, Alphabet, kompania mëmë e Google, raportoi fitime poshtë parashikimeve të analistëve. Në fokus të tregjeve ishte edhe takimi i Bankës Qendrore Europiane që u zhvillua në Athinë, dhe sikurse parashikonin analistët, norma bazë e interesit u mbajt e pandryshuar në nivelin e 4.5%.
Një shqetësim për investitorët është edhe rritja e yield-eve të obligacioneve në rang global. Ndërkohë, edhe shumica e tregjeve në rajonin e Azi-Paqësorit patën një tendencë në rënie, për shkak të fitimeve zhgënjyese të korporatave.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.