Sa do të kushtojë ndërtimi i urës në Baltimorë? – Parashikohet deri 1,9 miliardë dollarë. Siguruesi do të paguajë 350 milionë
Rindërtimi i urës së shembur në Baltimorë, vlerësohet se do të kushtojë nga 1.7 miliardë deri në 1.9 miliardë dollarë, ndërsa parashikohet që punimet të përfundojnë deri në vjeshtën e vitit 2028, deklaroi Departamenti i Transportit në Maryland.
Anija e mallrave Dali u përplas në urën Francis Scott Key më 26 mars, ndërsa gjashtë persona ndërruan jetën. Drejtuesit e shtetit Maryland thanë se do të kërkojnë propozime për të rindërtuar urën deri në fund të majit dhe do të organizojnë pas pak ditësh një forum të industries. Departamenti Amerikan i Transportit siguroi një fond fillestar prej 60 milionë dollarësh për të pastruar mbeturinat dhe për të filluar procesin e rindërtimit të urës.
Ndërkohë, kompania e sigurimeve Chubb, po përgatitet të paguajë 350 milionë dollarë për shtetin e Maryland, në atë që mund të jetë pagesa e parë e madhe për shembjen e urës në mars.
Pagesa mund të jetë e para nga disa të ngjashme për këtë fatkeqësi, që analistët kanë thënë se mund t’u kushtojë siguruesve deri në 4 miliardë dollarë, duke e bërë atë një humbje rekord të sigurimit të transportit.
Tragjedia që vrau gjashtë persona ndodhi pasi një anije konteinerësh me flamur të Singaporit u përplas me urën historike.
FBI ka nisur gjithashtu një hetim penal për incidentin që çoi në mbylljen e një prej porteve më të ngarkuara në SHBA. Planet për pagesën prej 350 milionë dollarësh u raportuan fillimisht nga Wall Street Journal, e cila tha se kompania e sigurimeve Chubb, së bashku me bashkinë e Maryland dhe familjet e viktimave të përplasjes, mund të padisin pronarin e anijes dhe të tjerët për të kompensuar humbjet.
Javën e kaluar, kryetari i bashkisë dhe këshilli i qytetit të Baltimorës ngritën një padi kundër pronarit dhe kompanisë që ka në pronësi anijen, duke i akuzuar ata për neglizhencë.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.