Spanja sfidon Francën për turizëm – Zhvillimi shkakton reagime nga qytetarët. Merren masa për mbipopullimin
Suksesi në sektorë të ndryshëm padyshim është një nxitje për ekonominë, por njëkohësisht edhe sfiduese për qeverinë për të reagimeve të qytetarëve. Spanja synon të kalojë Francën duke u bërë vendi më i vizituar në botë, megjithëse shumë vendas nuk e suportojnë shumë këtë ide për shkak të rritjes së çmimeve të mallrave dhe shërbimeve që sjell një zhvillim i tillë, si dhe mbipopullimit në shumë destinacione të njohura.
Sipas të dhënave të paraqitura në “Financial Times”, në vitin 2023 numri i vizitorëve në vendin iberik arriti nivele rekord. Turistët u rritën me 13 milionë duke arritur në 85 milionë në total. Ky numër turistësh përbën dyfishin e gjithë popullsisë së vendit.
Titullin e vendit me më shumë vizitorë e mban Franca. Ardhja e turistëve atje u rrit vitin e kaluar me 7 milionë, duke arritur në 100 milionë. Megjithatë, duke pasur parasysh faktin se vendi do të presë Lojërat Olimpike këtë vit, Franca nuk duket se do të humbasë kurorën e saj si destinacioni kryesor turistik në botë. Spanja kapërceu SHBA-në në vitin 2017 duke u bërë vendi i dytë më i vizituar në botë. Suksesi turistik është një stimul i rëndësishëm për ekonominë, pasi turizmi përfaqëson 12% deri në 13% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Megjithatë, ky zhvillim ka edhe anën tjetër të medaljes. Ndër problemet e krijuara nga numri i madh i turistëve janë çmimet e larta të qirave, mbipopullimi nga klubet e natës dhe ambientet e tjera dhe përdorimi i tepërt i ujit në një vend që përballet me një problem në rritje të thatësirës. Për këto arsye, pushteti vendor po përpiqet të frenojë situatën duke vendosur taksa shtesë për turizmin, kufizime në numrin e akomodimeve turistike dhe rregullore të reja më të rrepta për qiratë afatshkurtra si Airbnb.
Ndër të tjera, bashkia në Mallorca tani po redukton numrin e shtretërve turistikë në ishull me 18,000 ose me 4% të totalit. San Sebastian ka vendosur që grupet turistike nuk mund të kalojnë 25 persona në një përpjekje për të reduktuar mbipopullimin në trotuare. Në Katalonjë, qeveria rajonale vendosi kufizime në përdorimin e ujit në hotele për herë të parë. Në Barcelonë, autoriteti i ri komunal ka premtuar eliminimin e apartamenteve turistike në qytetin e vjetër.
Adelina Onuzi/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.