Në qarkullim kartëmonedhat me Mbretin Charles – Portreti i monarkut zëvendëson pas dy vitesh atë të mbretëreshës Elizabeth
Portreti i Charles është shfaqur në kartëmonedhat e reja për 5, 10, 20 50 paund të emetuara nga Banka e Anglisë. Por në të njëjtën kohë kartmonedhat ekzistuese që shfaqin portretin e Elizabeth do të vazhdojnë të qarkullojnë.
Banka e Anglisë bëri të ditur se kjo qasje është në përputhje me udhëzimet nga Shtëpia Mbretërore, për të minimizuar ndikimin mjedisor dhe financiar të këtij ndryshimi. Kjo do të thotë se publiku do të fillojë të përdorë kartëmonedhat e reja të mbretit Charles III shumë gradualisht.
Elizabeth ishte monarkja e parë që u shfaq në kartëmonedhat britanike, në kontrast me monedhat në Angli që mbanin imazhe të mbretërve dhe mbretëreshave për më shumë se 1000 vjet.
Dizajni i kartëmonedhave të reja u zbulua në dhjetor 2022, pak pasi monedhat me Charles hynë në qarkullim. Përveç monarkut të ri, dizajni i kartëmonedhave është i pandryshuar.
Përdorimi i parave të gatshme ka rënë ndjeshëm në Britani vitet e fundit pasi konsumatorët favorizojnë kartat e debitit dhe pagesat e tjera elektronike.
Sipas Konsorciumit Britanik të Shitjes me Pakicë, paratë e gatshme përbënin më shumë se gjysmën e transaksioneve në dyqane në vitin 2014, por kishin rënë në 15% deri në vitin 2021 – pjesërisht për shkak të kufizimeve të COVID-19 – përpara se të rriteshin në 19% në 2022.
Guvernatori i bankës së Anglisë, Andrew Bailey u shpreh se mbeten të përkushtuar për të ofruar kartëmonedha për aq kohë sa i kërkon publiku.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.