Finlanda, vendi i parë në BE që nxjerr uranium – Objektivi, prodhim 200 ton në vit deri në 2026
Vendi i parë që do të nxjerrë uranium në Bashkimin Europian është Finlanda. Lajmi u konfirmua nga kompania finlandeze e minierave dhe kimikateve Terrafame në deklaratën e saj për mediat.
Nxjerrja e uraniumit do të nisë në mes të këtij viti në minierën e Sotkamo në Finlandë, duke synuar prodhimin prej 200 tonësh në vit deri në vitin 2026.
Terrafame, në të cilën shteti finlandez ka 67.1% të aksioneve dhe firma e tregtimit të mallrave ‘Trafigura’ 31.1%, tashmë prodhon sulfat nikeli dhe kobalt për bateritë e automjeteve elektrike, si dhe minerale të tjera në Finlandën verilindore.
Terrafame do të rikuperojë uraniumin si një nënprodukt në të njëjtin xeheror që nxjerr tashmë për mineralet e tjera të tij. Uraniumi i rikuperuar nga Terrafame do të transportohet jashtë vendit për përpunim të mëtejshëm, pas së cilës do të përdoret në prodhimin e energjisë bërthamore.
Një nga prodhuesit më të mëdhenj të nikelit në Europë, Terrafame njihej më parë si Talvivaara, e cila falimentoi pasi u godit nga rrjedhjet e ujërave të zeza në minierë në vitin 2012 që çoi në procedura të gjata ligjore kundër ish-menaxherëve.
Qeveria e Finlandës dha dritën jeshile për prodhimin e uraniumit në vitin 2020, por organizatat mjedisore e çuan vendimin në gjykata, nga frika e dëmtimit të mëtejshëm të natyrës dhe rrugëve ujore përreth minierës.
Me fillimin e rimëkëmbjes, Terrafame do të bëhet një prodhues finlandez i uraniumit dhe kështu do të luajë gjithashtu një rol në ndërtimin e vetë-mjaftueshmërisë energjetike të Europës. Vitin e kaluar, Terrafame prodhoi rreth 28.600 ton nikel dhe 54.400 ton zink, ndërsa filloi gjithashtu prodhimin e kimikateve të baterive nga mineralet e veta në minierë.
Kompania ka një fabrikë të gatshme të rikuperimit të uraniumit në vend, e cila do të rrisë shitjet e saj neto me rreth 25 milionë euro në vit, nga 378 milionë euro në 2021-shin.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.