Më shumë se 1.5 milionë ditë pune të humbura – Grevat në Gjermani pritet të përkeqësojnë dhe më shumë situatën
Numri i ditëve të punës të humbura për shkak të grevave në Gjermani u dyfishua vitin e kaluar krahasuar me një vit më parë dhe u rrit në më shumë se 1.5 milionë. Shifrat janë rezultat i një një studimi të Institutit të Shkencave Ekonomike dhe Sociale – VSI.
Kjo organizatë thekson se kriza e kostos së jetesës dhe rritja e inflacionit pas pandemisë dhe luftës në Ukrainë kanë shkaktuar një valë prej mbi 300 grevash në Gjermani, duke lënë të kuptohet se kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë këtë vit, gjë që do të varen nga rezultati i negociatave të sindikatave në industrinë e metaleve dhe të energjisë në vjeshtë.
Studimi thotë se 1.52 milionë ditë pune janë humbur vitin e kaluar, më së shumti që nga viti 2015 dhe me një rritje prej 126 % krahasuar me nivelet e vitit 2022. Një valë grevash në fillim të vitit goditi hekurudhat, transportin, aeroportet dhe linjën ajrore Lufthansa dhe përkoi me protestat e fermerëve dhe një krizë buxhetore.
Sipas VSI, Belgjika regjistroi më shumë ditë të humbura të punës për 1000 punonjës për shkak të grevave, me një mesatare prej 103 ditësh midis 2013-ës dhe 2022-shit, e ndjekur nga Franca dhe Finlanda me përkatësisht 92 dhe 90 ditë. Gjermania është në vendin e tetë, pas Britanisë.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.