Konsumatorët gjermanë, të “shtrënguar” financiarisht – Pas katër muajsh përmirësimi, bie sërish besimi në ekonomi
Konsumatorët gjermanë po i mbajnë kuletat e tyre të mbyllura, pasi besimi i konsumatorëve në vend është dobësuar pas katër muajsh pozitivë. Dhe me këto të dhëna, ekonomia po përpiqet të fitojë një vrull më pozitiv.
Pas katër muajsh përmirësim të përkohshëm, besimi i konsumatorëve gjermanë u zhgënjye në korrik, duke rënë në -21.8 nga -21.0 në qershor. Në qershor, gatishmëria për të shpenzuar u ul, ndërsa gatishmëria për të kursyer u rrit. Pasiguria e re ekonomike duket se po rëndon edhe një herë mbi besimin e konsumatorëve gjermanë.
Në prag të Kampionatit Europian të Futbollit, kishte shpresa se një ngjarje e tillë mund të hapte më në fund portofolin e konsumatorëve gjermanë. Por të dhënat e fundit tregojnë se as futbolli nuk mund të shpërqendrojë gjermanët.
Pavarësisht rritjes reale të pagave këtë vit, ndoshta më e forta në një dekadë, pasiguria e politikave dhe rritja e ngadaltë ekonomike vazhdojnë të peshojnë në gatishmërinë e konsumatorëve për të shpenzuar. Nëse ka ndonjë ndikim pozitiv nga Euro 2024, ai duhet të vijë nga tifozët e huaj të futbollit, jo nga konsumatorët gjermanë, vlerësojnë analistët në vend.
Në të njëjtën kohë, megjithatë, kampionati i futbollit nuk e lë ekonominë gjermane plotësisht të paprekur. Sipas informacioneve të cituara nga mediat gjermane, fanellat zyrtare të kombëtares gjermane të futbollit janë shitur dhe prodhuesi i njohur gjerman i veshjeve sportive tashmë ka paralajmëruar planet për të rritur prodhimin.
Në të njëjtën kohë, një promovim nga një faqe kryesore e krahasimit të çmimeve dhuroi më shumë fanella falas. Pothuajse falas… Për të marrë fanellën gjermanët duhej të vendosnin të dhënat e tyre personale. Duke gjykuar nga ky shembull, duket se njerëzit janë të gatshëm të paguajnë, vetëm jo me para.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.