Sa pula ka dhe sa vezë prodhon Shqipëria? – Në 3 vite sektori humbi 370 mijë krerë. Hapen dyert e eksportit
Sektori i mbarështimit të shpendëve dhe prodhimit të vezëve ende nuk po arrin të rikuperohet siç duhet pas goditjes që mori nga sëmundja e influencës aviare, apo e quajtur ndryshe gripi i shpendëve në vitin 2022, ku u shfarosën më shumë se 250 mijë krerë dhe stabilimentet shkuan thuajse në zero.
Por sa krerë pula kemi aktualisht dhe sa vezë prodhohet në vend? Referuar shifrave të INSTAT, vihet re se gjatë vitit 2021 në vend rezultojnë 5.249 mijë krerë, shifër kjo e cila ka pësuar rënie me 250 mijë krerë në vitin 2022, kur dhe ndodhi përballja me gripin e shpendëve. Dhe në 2023 duket se sektori ende nuk e ka marrë veten siç duhet pasi numri i pulave regjistrohet në 4.877 mijë krerë, duke pësuar një tjetër rënie në raport me vitin 2022, në rreth 122 mijë krerë. Pra e thënë ndryshe përgjatë periudhës 2021-2023, vendi ka humbur 372 mijë krerë pula.
Por si është situata me vezët e prodhuara dhe të hedhura për konsum? Shifrat tregojnë se në 2021prodhimi regjistrohej në 899 milionë kokrra vezë, shifër e cila ka pësuar rënie në vitin 2022, me 133 milionë kokrra. Ndërsa në vitin 2023, pavarësisht numrit të krerëve vihet re një rritje e numrit të vezëve të prodhuara, me 128 milionë kokrra veze, gjë që lidhet me rendimentin e pulave. Vitin që lamë pas në vend janë prodhuar në total 894 milionë kokrra vezë.
Sa i takon eksportit, të dhënat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, tregojnë se në 5 mujorin e parë të vitit 2024, rezultojnë 1145.7 ton vezë të eksportuara dhe një vlerë prej 168 milion lekë. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, kjo sasi reflekton jo vetëm kërkesën e madhe për eksport, por edhe cilësinë e vezëve të Klasit B, për të cilat Shqipëria është e autorizuar të eksportojë në tregun europian. Ministria e Bujqësisë bën me dije se ka nisur punën për të rritur mundësinë për zgjerim të këtij sektori.
Numri i pulave në Shqipëri
Viti 2021 5.249 mijë krerë
Viti 2022 4.999 mijë krerë
Viti 2023 4.877 mijë krerë
Prodhimi i vezëve
Viti 2021 899 milionë kokrra
Viti 2022 766 milionë kokrra
Viti 2023 894 milionë kokrra
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.