“Aeroporti i Vlorës dhe infrastruktura do ulin çmimet në jug” – Vathi: Do të sjellë më afër të huajt. Nevojitet rritja e shtretërve
Rritja e numrit të turistëve në Shqipëri është shoqëruar me shtimin e çmimeve sidomos në jug të vendit. Besnik Vathi, turoperator, ka thënë për SCAN tv se ndikim ka patur zhvlerësimi i euros, por rritje ka patur edhe në vende të tjera të rajonit.
“Turisti kryesor në rajonin e jugut është ai vendas, i cili mbush plazhet apo hotelet në këtë zonë nga 15 Korriku -25 Gusht. Dhe nëse çmimet e luksit rriten nga muaj në muaj, nga viti në vit, mund të rriten edhe shërbimet e luksit. Nëse ne i raportojmë çmimet nga fillojmë, atëherë do të jemi më realistë dhe paralelisht sa kanë ndryshuar. Pavarësisht se çmimet janë rritur apo raporti euro-lekë ka ndryshuar, ka dëmtuar rëndë, ndikimi është tek turizmi dhe qytetari shqiptar”- ka thënë Vathi.
Sipas Vathit, çmimet do të ulen me ndërtimin e aeroportit të Vlorës, por me vënien në funskion të tij lind nevoja e rritjes së kapacitetit akomodues.
“Shqipëria ka shkallën e çmimeve nga veriu në jug me rritje dhe kjo ka qënë vazhdimisht në të gjitha periudhat. Çmimet sidomos në rivierën e jugut, unë mendoj se do të fillojnë të ulen apo të barazohen me Shqipërinë e mesme apo të veriut, pasi të fillojë funksionimin aeroporti i Vlorës. Ky aeroport, do e bëjë turizmin e jugut më afër me turistët e huaj. Por hapja e aeroportit Vlorë do të sjellë një problem tjetër që ne nuk e vërejmë, pjesa e shtretërve. Rajoni i jugut në përqindje me vijën bregdetare, ka numrin më të ulët të shtretërve, ndaj duhet të rritet kapaciteti akomodues”- pohon Besnik Vathi.
Vathi shton se Shqipëria është një destinacion i preferuar këtë vit për të huajt, por statistikat nuk duhet të bëhen me numrin e çadrave. Tirana, mbetet një nga qytetet më të frekuentuara, pasi shumë turistë nuk vijnë vetëm për bregdetin dhe qytetet historike. Ndërsa sa i takon pushesve nga Kosova, Vathi ka thënë se nuk na kanë braktisur, por për shkak të liberalizimit të vizave, po zgjedhin edhe destinacione të tjera.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.