Italia, gati planin e “Korridorit të hidrogjenit” – Projekti për transportin nga Mesdheu Jugor deri në Europën Veriore
Dorina Kurtaj /SCAN
Italia do të organizojë një takim në vjeshtë për të paraqitur një rrjet për transportin e hidrogjenit nga Mesdheu jugor në Europën veriore. Lajmi u konfirmua nga ministri italian i energjisë, i cili shtoi se në këtë projekt mund të përfshihet dhe Zvicra.
I ashtuquajturi Korridori ‘SouthH2’ do të lidhë Afrikën e Veriut, Italinë, Austrinë dhe Gjermaninë, duke lejuar hidrogjenin e rinovueshëm të prodhuar në Mesdheun Jugor të arrijë në industritë europiane.
Projekti, i cili përfshin një grup kompanish, si operatorin italian të rrjetit të gazit Snam, fitoi statusin e përparësisë nga Komisioni Europian vitin e kaluar. Ministri italian i energjisë Fratin u shpreh se po ecet me hapa gjigandësh për realizimin e tij dhe në vjeshtë do të jetë cdo gjë gati për prezantimin zyrtar në Romë
Europa po përpiqet të nisë prodhimin dhe importin e hidrogjenit të rinovueshëm – një lëndë djegëse e prodhuar duke përdorur energji elektrike të rinovueshme – për të cilën vendet po mbështeten për të reduktuar përdorimin e karburanteve fosile në proceset industriale të tilla si prodhimi i çelikut.
Plani synon dhe transportimin e hidrogjenit përmes Austrisë, duke lidhur Zvicrën dhe në Gjermani. Trans Austria Gasleitung, Gas Connect Austria dhe Bayernets në Gjermani po punojnë me Snam për të zhvilluar projektin prej 3.300 km.
Me një kapacitet importi hidrogjeni prej më shumë se 4 milion ton në vit nga Afrika e Veriut, tubacioni mund të japë 40% të objektivit të importit të hidrogjenit të Bashkimit Europian të vendosur për vitin 2030 dhe mund të jetë funksional që atë vit.
Plani u njoftua zyrtarisht në maj kur ministrat e energjisë nga Italia, Austria dhe Gjermania nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi si pjesë e një strategjie të BE-së për të dekarbonizuar industrinë e saj.
Ministri italian tha se lidhjet e tubacioneve tashmë të vendosura me Libinë dhe Tunizinë mund të jenë pjesë e korridorit, duke shtuar se një opsion tjetër do të ishte konvertimi i karburantit të gjelbër në amoniak dhe dërgimi i tij në Europë.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.