“Të hetohen çmimet për produktet e shportës” – Kuvendi “i tërheq vërejtje” Konkurrencës: Asnjë hetim në 5 vitet e fundit
Ada Hazizolli/SCAN
Kuvendi ka kërkuar nga Autoriteti i Konkurrencës, që të nis hetimet për çmimet e produkteve të shportës, duke vënë në dukje faktin që në 5 vitet e fundit tregjet nuk janë monitoruar.
Pas viteve 2020, si pasojë e krizave të njëpasnjëshme, siç ishte pandemia dhe lufta në Ukrainë, çmimet për produktet bazë njohën një rritje thuajse në vlerë dyshifrore, duke rënduar jo pak xhepat e konsumatorëve. Kjo tendencë ka vijuar. Ndonëse, prej më shumë se një viti tregjet janë normalizuar, një gjë e tillë nuk është reflektuar dhe nuk ka sjellë rënie të çmimeve, siç edhe duhet të ndodhte.
Në rezulutën e miratuar në seancën e datës 25 korrik dhe të botuar në Fletoren Zyrtare, Kuvendi i ka kërkuar Autoritetit të Konkurrencës, që të vlerësojë situatën dhe të ndërmarrë hetime.
“Kuvendi i Republikës së Shqipërisë kërkon që Autoriteti i Konkurrencës për vitin 2024, në përmbushje të detyrave të ngarkuara me ligj, të angazhohet veçanërisht në sigurimin e një tregu të drejtë dhe konkurrues për produkte të shportës, që nuk kanë qenë objekt hetimi në 5 vitet e fundit”, thuhet në rezolutë, ku vihet në dukje po ashtu se përgjatë vitit që lamë pas janë monitoruar 15 tregje nga të cilat katër nuk kanë kaluar në procedura hetimore, dy kanë kaluar në procedurë hetimore, gjashtë janë në zbatim të vendimeve të Komisionit të Konkurrencës gjatë viteve 2022 dhe 2023 dhe tre janë monitorime në vazhdim.
Një ditë më parë, në përgjigje edhe të këtyre shqetësimeve të bëra prezente në seancën parlamentare, Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar hapjen e një hetimi paraprak për tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve në qarkun Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë për periudhën kohore 1 Janar 2023-31 Maj 2024.
Ndërkohë, në kulmin e sezonit turistik teksa kryefjalë janë edhe çmimet me të cilat po operojnë bizneset, që operojnë në fushën e shërbimeve, në listën e detyrave të lëna Kuvendi ka kërkuar nga Autoriteti i Konkurrencës po ashtu që të monitorojë veprimtarinë e tyre.
Në mënyrë të vazhdueshme edhe Kryeministri Rama, por po ashtu edhe Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku iu kanë bërë thirrje biznesve, që të mos abuzojnë me çmimet, me argumentin se kjo ndikon negativisht për një vend, që sa i takon turizimit është ende në fazën embrionale.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.