Fluks i shtuar pasagjerësh në Portin e Sarandës – Mbi 433 mijë persona mbërritën në portet shqiptare në 6 muajt e parë të vitit
Ledina Elezi/SCAN
Udhëtimet përmes detit kanë shënuar një rritje të lehtë në tremujorin e dytë të këtij viti, teksa porti i Sarandës ka regjistruar një rekord pasagjerësh krahasuar me portet e tjera detare në vend.
Mbi 433 mijë pasagjerë kanë udhëtuar përmes transportit detar në gjysmën e parë të vitit, ku rreth 298 mijë hyrje dhe dalje u regjistruan në portet shqiptare vetëm në tremujorin e dytë. Portet detare ku kryhet transporti pasagjerëve në vend janë: Porti i Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe porti i Shëngjinit. Lëvizja e pasagjerëve në tremujorin e dytë 2024 është kryer vetëm nga porti i Durrësit, Vlorës dhe ai i Sarandës.
Referuar të dhënave zyrtare nga INSTAT, porti i Sarandës është porti nga i cili kanë udhëtuar 52% e pasagjerëve, ndjekur nga porti i Durrësit me 39% dhe më pas porti i Vlorës me gati 9%. Porti i Limjonit në Sarandë ka shënuar një fluks të shtuar pasagjerësh, ku nga 10 mijë pasagjerë që numëroheshin në tremujorin e parë, kjo shifër ka shkuar në 155 mijë për tremujorin e dytë të 2024-ës. Nga ana tjetër, në portin e Durrësit kanë mbërritur 117 mijë pasagjerë dhe në atë të Vlorës janë shënuar rreth 25 mijë hyrje-dalje.
Numri i anijeve të hyra dhe të dala nga portet në vend rezulton 251 anije, nga këto 218 anije janë të huaja dhe 33 anije vendase. Numri i anijeve të hyra dhe të dala në porte është rritur me 79,3%, ku numri anijeve të huaja është rritur me 2 herë, krahasuar me tremujorin e dytë 2023.
Mbi 85 mijë qytetarë kanë mbërritur në portin e Durrësit përmes porteve italiane gjatë muajit korrik. Mëngjesi i të shtunës regjistroi 4150 pasagjerë të mbërritur nga Italia dhe 1350 autovetura. Në total, vetëm në fundjavën e parë të gushtit mbërritën rreth 15 000 pasagjerë në portet shqiptare, ndërsa administrata portuale dhe ajo doganore po punojnë me kapacitete të plota për përballimin e fluksit.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.