“Rikthehen” biokarburantet, 7% e sasisë deri në 2030-ën – Projektligji: Politika nxitëse për kultivimin e bimëve energjetike, zbatimi nis në 2025-ën
Ola Mitre / SCAN
Për të disatën herë qeveria ka rikthyer planet për përdorimin e biokarburanteve në vendin tonë, teksa një projektligj i ri është nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjjisë. Sipas dokumentit, sasia minimale vjetore në treg e biokarburanteve dhe e lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transport, duhet të jetë e përcaktuar me nje skemë rritëse deri në 2030, me target 7%.
Aplikimi do të nisë në vitin 2025 dhe sipas relacionit shoqërues të projektligjit përqindja e biokarburanteve në mishelën e karburanteve propozohet te rritet gradualisht me nga 1% për çdo vit duke filluar nga viti i ardhshëm, për të arritur në 2030 në 7%.
Në raport me disa drafte që janë diskutuar më herët këto objektiva janë më të ulët, duke qenë se më herët synohej që nga viti 2025 e në vazhdim sasia e biokarburanteve të ishte jo më pak se 10% e totalit të karburanteve.
Ndërkaq, një pikë tjetër e projektligjit është krijimi i politikave nxitëse për kultivimin e bimëve energjetike në Shqipëri, për të mbrojtur mjedisin nëpërmjet respektimit të kritereve të qëndrueshmërisë për prodhimin e biokarburanteve, biolëngjeve dhe biogazeve sipas direktivës së Parlamentit Evropian të amenduar në vitin 2023. Sipas ekspertëve, ndër speciet bimore që mund të përdoren për prodhimin e biokarburanteve janë: Soja, misri, kallami i sheqerit, luledielli, eukalipti, palmat, etj.
Paralelisht, projektligji parashikon zbatimin e regjimeve fiskale lehtësuese për biokarburantet me qëllim rritjen e përdorimit dhe konkurrimin me çmimin. Sipas dokumentit, biokarburanet 100% të pastra do të përjashtohen nga tatimet dhe taksat.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.