Shtohen milionerët e kriptomonedhave – Llogariten në 95% më shumë krahasuar me vitin 2023
Kristi Ceta/ SCAN
Më shumë se 172,300 kripto-milionerë, d.m.th. njerëz që zotërojnë kriptomonedha me vlerë më shumë se 1 milion dollarë, u numëruan në mbarë botën nga Henley & Partners.
Sipas kompanisë, që këshillon klientët e pasur për çështjet e emigracionit, kripto-milionerët janë rritur me 95% krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa milionerët e bitcoin janë rritur me 111% në 85,400 njerëz. Për momentin, ka 28 njerëz në mbarë botën me një portofol kriptomonedhash prej mbi 1 miliard dollarësh.
Ndërsa vlera totale e tregut arrin në 2.3 trilionë dollarë, është e qartë se kriptovalutat po bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e financave kryesore.
Kjo rritje nuk po kalon pa u vënë re nga vendet që synojnë të arrijnë këto përfitime. Henley & Partners po sheh një rritje në mesin e klientëve të saj të kriptomonedhave me vlerë të lartë neto që kërkojnë opsione alternative të qëndrimit dhe të nënshtetësisë. “Këta ‘nomadë dixhitalë’ nuk po ndjekin vetëm trajtimin më të mirë tatimor. Ata janë në kërkim të juridiksioneve që kërkojnë inovacionin dhe ofrojnë mjedise rregullatore që favorizojnë ambiciet e tyre të decentralizuara,” theksoi kompania.
Por cilat janë destinacionet më tërheqëse për kripto-milionerët? Singapori është në krye, i ndjekur nga afër nga Hong Kongu dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në Evropë, Malta dhe Qipro ofrojnë programe posaçërisht për investitorët e kriptomonedhave, ndërsa Zvicra tërheq milionerë me “Luginën e Kriptove” në kantonin Zug.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.