Mjetet ajrore pa pilot, në ndihmë të institucioneve – Vendimi i qeverisë përcakton rastet dhe mënyrat e përdorimit
Hamit Yzeiraj/SCAN
Mjetet ajrore pa pilot, dronët, do të jenë në ndihmë të institucioneve shtetërore. Gjatë mbledhjes së ministrave u vendos se këto mjete të cilat janë në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes do të përdoren vetëm nëse nuk do të ketë mjete të tjera të gatshme për të përmbushur kërkesat e këtyre institucioneve. Mjetet ajrore do të përdoren për sigurimin e pamjeve filmike dhe fotografike me qëllim mbikëqyrjen e territorit për të zbuluar aktivitete të paligjshme si kultiuvimin e bimëvë narkotike, kontrabanda, emigraciuoni I paligjshëm etj. Gjithashtu do të kryhet monitorimi i vijës bregdetare, ku përfshihet dhe rada portuale, të shtretërve dhe brigjeve të lumenjve, përrenjve dhe liqeneve.
Do të mbështesin në reagim të emergjencave civile në raste tërmetesh, uraganesh, përmbytjesh dhe zjarresh, duke ofruar vëzhgime ajrore për vlerësim paraprak të dëmeve gjithashtu, do të kryhet inspektim vizual nga ajri të infrastrukturës kritike kombëtare dhe infrastrukturës kritike me efekt ndërkombëtar. Dronët do mbështesin operacionet të rëndësishme policore në zbatim të një plani kombëtar veprimi ose strategjie të miratuar sipas ligjit.
Do të ketë dhe monitorim dhe inspektim të situatës ndërtimore në të gjithë territorin, duke përfshirë zonat me rëndësi kombëtare, monumentet e kulturës, qendrat historike, parqet dhe zonat arkeologjike, zonat e mbrojtura natyrore dhe monumentet natyrore.
Ministria e Mbrojtjes do të ngarkohet për hartimin e dokumentit për përdorimin operacional të mjeteve ajrore pa pilot, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.