4.5 milionë euro shtesë për bashkitë – Mbështetje financiare për 5 vjet, synon administratë vendore më të “fortë”
Elisabeta Dosku/ SCAN
Një fond prej 4.5 milionë eurosh do të shkojë për 61 bashkitë në vend në formën e mbështetjes teknike për sistemin e financave vendore.
Ministri i Financave, Petrit Malaj dhe Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit e cila mbështetet fazën e dytë të projektit për “Ofrimin e asistencës teknike për Forcimin e Menaxhimit të Financave Publike në Nivel Vendor në Shqipëri” dhe parashikon që fondi të shpërndahet për periudhën 2024-2028, në funksion të vazhdimit të zbatimit të projektit në fjalë.
Gjatë takimit, Ministri Malaj, shprehu bindjen se zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të ndihmojë qeverinë shqiptare për të vijuar garantimin e rritjes së efikasitetit në mbledhjen e të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore; reformimit të buxhetit vendor, duke e bërë më eficient dhe transparent; si dhe kontrollit më të mirë të auditimit dhe raportimit financiar.
Ministri i Financave nënvizoi faktin se aktualisht bashkitë janë më të mirë strukturuara edhe sa i takon shpenzimeve, pasi pjesa më e madhe shkojnë për shërbime dhe investime publike, ndërsa qeveria ka rritur së fundmi pagat për administratën vendore, si një angazhim për një reformim akoma më të gjerë.
Faza e parë e zbatimit të projektit ka mbështetur bashkitë në disa aspekte, ndërsa faza e dytë ka si objektiva kryesorë: përmirësimin e planifikimit strategjik dhe menaxhimit të përgjithshëm; fuqizimin e sistemeve të menaxhimit të të ardhurave vendore, me qëllim rritjen e tyre dhe kontributi për rritjen e të ardhurave të veta në bashki; ngritjen e sistemeve të efektshme për auditimin dhe raportimin financiar.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.