333.3 mln lekë për rritjen e sigurisë rrugore – FSHZH hap tenderin, ndërhyrje në akset rajonale e locale
Ola Mitre / SCAN
Me një fond limit prej 333.3 mln lekë, Fondi Shqipar i Zhvillimit ka hapur tenderin për përmirësimin e sigurisë dhe sinjalistikës rrugore. Ndërhyrjet parashikohet të përfshijnë 4 rajonet e vendit, ndonëse nuk janë bërë me dije akset e përzgjedhur. Gjithsesi, specifikohet se ndërhyrjet për përmirësimin e sigurisë dhe sinjalistikës do përfshijnë akset rrugore rajonale e lokale, në funksion të përmirësimit të aksesit në zona turistike e ekonomike në përputhje me programin “100 Fshatrat”.
Sipas dokumenteve të tenderit, FSHZH ka përgatitur një listë paraprake me rrugë në të cilat parashikohet të ndërhyhet në të gjithë territorin e Shqipërisë, por me anë të këtij programi do mundësohet trajtimi i disa prej tyre, bazuar në fondin e parashikuar për këtë qëllim.
Në dokumentet e tenderit, argumentohet se gjendja ekzistuese e sinjalistikës rrugore nuk garanton kërkesat dhe standardet në fuqi dhe në pjesën dërrmuese të këtyre rrugëve kanë dalë jashtë kushteve teknike të projektimit.
Qëllimi kryesor projektit është rritja e cilësisë së jetës së komuniteteve që popullojnë në zonat urbane, lidhja e zonave turistike që kanë potencial për zhvillimin ekonomik dhe social. Ndërhyrjet do përmirësojnë qarkullimin e automjeteve, njerëzve dhe do të rrisë sigurinë e lëvizjes, ndërkohë që tenderi për kompanitë e interesuara do të qëndrojë I hapur deri në datën 4 tetor.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.